TIRANE

E ftuar në emisionin “Kjo javë” kryeredaktorja e News24, Anila Jole tha se beson se protesta e sotme nuk do të jetë e dhunshme.

“Ajo që më bën përshtypje është se kanë ndryshuar oraret. Sa më shumë që shtyhen oraret, shtohet errësira dhe kjo i bën të frikshme. Nisur nga deklaratat që janë bërë, mendoj se do të jetë protestë e qetë dhe jo me akte dhune kaq të mëdha sa ata të kaluara.

Përfaqësues të opozitës e kanë mohuar dhunën. Mirëpo dhunë ka pasur, ne e kemi parë dhe nuk mund të mohohen. Nuk e dimë nëse në protrestë kishte bomba molotov ose jo, por ne dimë se ata ishin mjete piroteknike të rrezikshme”, tha Jole.

Sa i përket letrave të Ramës në drejtim të kreut demokrat Lulzim Basha,  Jole u shpreh se i duket e ulët që ata bëhen me “Facebook”, por shtoi se uron dialogun.

“Më duket një nivel shumë ui ulët që komunikojnë në “Facebook”. Bie dakord me presidentin meta që thotë “mjaft më me shkrime”. Unë mendoj se Edi Rama është zgjedhur me vota të shqiptarëve dhe duhet ta çojë deri në fund mandatin e tij. Rama nuk duhet që të ikë vetëm pse do opozita. Dialogu duhet bërë. Mendoj se duhet që të ketë dialog deri më 30 maj, atëherë do kemi përplasje ose zgjedhje moniste. Unë uroj që të ketë dialog mes palëve dhe secila të lëshojë nga pjesa e vet që të ketë një zgjidhje”, deklaroi Jole.

Anila Jole foli edhe për raportimin që iu bëhet protestave dhe si re përjeton ajo në rolin si kryeredaktore.

“Ne e raportojmë në mënyrë të vazhdueshme. Ne paraqesim të gjitha, me qëllim që nesër mos të ketë më debat nëse kishte apo jo dhunë. Gjej rastin të përshëndes të gjithë gazetarët, operatorët dhe të gjithë ata që sjellin përpara ekranit të shqiptarëve protestën. Sigurisht që ka adrenalinë, por edhe punë e mund që të pasqyrojmë gjithçka në kohë reale. Mendoj se Rama po e kupton se mund të shkojë vetë në zgjedhje, prandaj i bën thirrje që të hyjë”, tha Jole.

Sa iu takon thirrjeve të ambasadave, Jole u shpreh se ato nuk ishin të shumta, pasi ndjejnë se nuk do të ketë dhunë.

“Sot nuk ka shumë deklarata, sepse protesta e së hënës nuk ishte e dhunshme dhe uroj mos të ketë dhunë edhe sot.  Mbaj mend se ambasadat nuk ndaleshin me deklarata kur kishin frikë nga dhuna. Zgjedhjet janë legjitime, kryeministri legjitim dhe s’ka kuptim të ikë Rama vetëm pse dëshiron  opozita”, u shpreh Jola.

Kryeredaktorja e News 24 theksoi se nuk beson se policia ka ndonjë rol  për t’u kritikuar, përpos atij fragmenti të dhunës ndaj Sahit Dollapit. Për fjalorin e politikanëve, gazetarja Anila Jole thotë se ata ushqejnë shpesh dhunën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb