TIRANE

Ka nisur edhe sot protesta e banorëve të Unazës së Re, të cilët kundërshtojnë projektin e Unazës së Madhe, nga i cili rrezikojnë shembjen shtëpitë e tyre. Në ditën e 144 të protestës, banorët kanë bllokuar rrugën. Një natë më parë këta banorë e gdhinë para Drejtorisë së Policisë  ku edhe kërkuan lirimin e 7 të shoqëruarve.

“Në orën 9-10 do mblidhemi të gjithë aty dhe të protestojmë para parlamentit. Banorë të Unazës së Re janë më të përgatitur se kurrë për të kundërshtuar. Është zbuluar se është një projekt korruptiv. Ndaj ne nuk na largoni dot nga rruga as me polici, as me ushtri.

Edhe po përfunduan në burg 5-6 vetë ne këtu jemi me qindra për të mbrojtur pronën tonë. Falenderoj opozitën shqiptare që e ka mbështetur këtë protestë. Prandaj qytetarë të Unazës së Re, mbështetja është e madhe për kauzën tonë. Nuk kemi frikë nga askush. Është jo mirë që ne të tregohemi të fortë. Kryetari i Bashkisë ta harrojë se mund të kundërshtojë banorët e Unazës së Re.

E di që jemi të lodhur, por është e vetmja mënyrë për të mbrojtur këto prona.”- u shpreh një nga banorët.

Të pranishëm në protestë, në mbështetje të banorëve ishin edhe ish-deputetë të opozitës si nga LSI ashtu edhe nga PS. Nga protesta, Balliu ftoi të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës së planifikuar për nesër.

“Ndaj nesër të gjithë bashkë në 9 e gjysmë të jemi përballë Kuvendit, ti tregojmë se kush komandon dhe se kush është sovrani.”- u shpreh Klevis Balliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb