Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, është thirrur sërish sot në gjykatë në cilësinë e të pandehurit bashkë me disa qytetarë të tjerë në lidhje me protestat për ndërtimin e Unazës së Madhe. Në një prononcim për gazetarët, Balliu kërkoi nga prokuroria që të nxirren kamerat e sigurisë nga komisariati nr.6, ku pretendohet nga një efektiv policie se ish-deputeti i ka thyer krahun.

Sipas Balliut, ai nuk mund t’i thyente dorën policit, pasi kishte pasur probleme me sytë për shkak të një lënde që i kishin hedhur në protestë.

Duke mos kursyer akuzat për qeverinë, Balliu tha se në 25 prill qytetarët do të votojnë për ndryshimin e madh.

“Policia ka 8 vite që arreston vetëm qytetaret. Akuzat e ngritura ndaj meje janë për interesa politike. Një polici që përveç dhunës ndaj qytetarëve, nuk arreston asnjë kriminelë e banditë. Banditët vazhdojnë që të jenë të lirë. Akuza që është ndaj meje nga një efektiv policie, pretendon se i kam thyer krahun. Unë kërkoj që të dalin videot nga rajoni nr.6, ku shihet se unë e kam unë e kisha të pamundur që të thyeja krahun atij, pasi sytë i kisha të mbyllur, nga një lëndë. Dua të di arsyen se pse jam shoqëruar. Në vend që këtu në gjykatë të vijnë ata që kanë dhunuar, vjedhur, ata që blejnë rroba të Ndragheta, vijnë qytetarë të lirë të këtij vendi. PD është partia që ka denoncuar vjedhjet në Shqipëri, afera të tilla. Jam i bindur që në 25 prill do të votojnë masivisht çdo qytetar shqiptar, pro ndryshimit. Nëse vendosim që t’i japim votën një individi që ka vjedhur, ai nuk është plan ndryshimi. I bëj thirrje qytetarëve që mos të jenë më nëpër gjykata, por të votojnë në 25 prill. Gjykatat janë të mbushura me qytetarë. Të votojnë ndryshimin që në gjykata dhe burgje të shkojnë ata që kanë vjedhur dhe jo qytetarët.”, tha Balliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: