TIRANË

Mjeku infeksionist Gent Stroni ka folur në emër të sindikatës së punonjësve të shëndetësisë dhe kolegëve të tjerë për shkarkimin e mjekut të Urgjencës Kombëtare Ilir Allkja.

Stroni tha se rituali i çdo viti, i takimit mes mjekëve në fund të vitit është prishur këtë vit jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të shkarkimit të një kolegu.

Ai theksoi që Shqipëria nuk e ka luksin të nxjerrë nga fronit mjekë që e bëjnë luftën në llogore.
“Jemi përpara një situate që praktikisht, data 31 ne bëjmë të mundur gjithmonë, kemi një ritual ku bëjmë ndarjen me njeri-tjetrin dhe takojmë duart për një vit me suksese. Ky ka qenë rituali i çdo viti. Këtë vit ky ritual ka ndryshuar dhe si pasojë e punës. Një pjesë duhet të ndjekin pacientët, një pjesë po kalojnë COVID, një pjesë janë ndarë nga jeta dhe tashmë kemi dhe këtë lloj problematike,ku shikojmë që kemi luksin si shtet i vogël, me gjithë një mungesë të theksuar të mjekëve, kemi luksin të nxjerrim nga fronti mjekë që e bëjnë luftën në llogore. Rreth 85-90 vite më parë, dikush nga zyrtarët thoshte që do futesh në burg se ke sharë mbretin, dikush tjetër fliste për ‘armik kllase’ dhe do shkojë në ndërtim. Sot thuhet ka shkelur kodin e etikës. Nuk duhet të ndodhë kjo gjë, sepse janë asete të çmuar në këtë situatë që po kalojmë. Do duhet që të kemi një përkrahje për shokun tonë. Nëse shikohet betimi i Hipokratit, mjeku dënohet nga kodi penal vetëm kur me veprimin ose mosveprimin e tij arrin të shkaktojë vdekjen e një personi. Sot shikojmë vdekjen profesionale të një kolegu tonë. Kjo është e papranueshme. Nesër pasnesër me këtë lloj ritmi mund ta ketë kushdo këtë rrugë. Duhet një lloj bashkëbisedimi, ose ulje tensionesh. Është e sigurt që ky koleg do fitojë të drejtën e tij në gjykatë, sepse mjeku dënohet vetëm atëherë kur me veprimet ose mosveprimet e tij shkakton vdekjen e një pacienti. Rrjedhimisht ai do e fitojë betejën në gjykatë. Ato para që do fitojë duke mos punuar do dalin nga xhepat e popullit”, deklaroi Stroni.

Ai shtoi se mjekët e tjerë por jo vetëm dhe infermierët janë në përkrahje të kolegut duke folur dhe për një përshkallëzim të qëndrimit të tyre, që e quajti vajtim. “Nuk përjashtohet mundësia për të diskutuar për një përshkallëzim të këtij vajtimi që po bëjmë dhe të realizojmë mbrojtjen e këtij kolegu që normalisht duhet bërë.
Nuk mund të dënohet një mjek pse ka sharë mbretin. Kjo është mendësi e 90 viteve më parë. Nuk duhet të ndodhë. Jam i bindur që do bashkohen me ne.
Detyra e mjekut është në radhë të parë t’i shërbejë popullit dhe atyre në nevojë, vendimet tona janë pa shkelur të drejtat e të tjerëve. Kur themi përshkallëzim do mblidhemi për të vendosur çfarë të bëjmë por pa shkelur të drejtat e të tjerëve”, deklaroi mjeku Stroni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb