TIRANE

Pak orë nga nisja e protestës së opozitës së bashkuar, sekretari i përgjithshëm i LSI, Endrit Brahimllari, u shpreh se forca politike ku bën pjesë dënon cdo formë të dhunës nga kushdo që e bën atë.

“Protesta do jetë demostrim i qytetarisë dhe vlerave perëndimore. Në asnjë rrethanë nuk e duam dhunën e distancohemi. Jemi bashkë me zërin e qytetarëve. LSI dënon cdo formë dhunë nga kushdo që e bën atë. Njeriu i cili kërkon të ushtrojë dhunë përmes pushtetit kriminal është Edi Rama.

Dita e sotme do i tregojë qartë se shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë kundër rrugës që na kthen në diktaturë. Beteja jonë nuk është kundër policëve po kundër sistemit kriminal të Ramës. Protesta është protestë kundër varfërisë, arrogances, grabitjes së taksave. Sot është ditë vendimtare të bashkojmë zemrat në protestë jemi bashkë për Shqipërinë tonë.”- u shpreh Brahimllari në një dalje për mediat.

Deklarata e plotë:

Sot është një ditë vendimtare për të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Para shqiptarëve janë vetëm dy rrugë: ajo e kthimit të Shqipërisë para 30 viteve nën diktaturë, në një vend pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, me votime fasadë dhe të një qeverisjeje në shërbim të një klani njerëzish të inkriminuar. Dhe rruga për një Shqipëri demokratike, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeverisje në shërbim të gjithë shqiptarëve.

Ne kemi zgjedhur rrugën e dytë. Ne refuzojmë deklaratat provokative dhe politike të drejtuesve të Policisë. I bëjmë thirrje të ushtrojnë vetëpërmbajtje në veprimet e tyre, pasi protesta e shqiptarëve do jetë demonstrimi i qytetarisë dhe vlerave perëndimore.

Qartësoj për të gjithë se asnjë rrethanë ne nuk e duam dhunën dhe distancohemi nga ajo. Ne kemi diçka shumë më të fortë dhe fitimtare se dhuna, ne jemi bashkë me zërin e qytetarëve.

Lëvizja Socialiste për Integrim dënon çdo formë dhune, nga kushdo që e bën. Beteja pa kthim e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë është vetëm garantimi i votës së lirë dhe të ndershme e qytetarëve.

Njeriu i dhunës dhe marrjes së pushtetit përmes dhunës së kriminelëve është Edi Rama. Dita e sotme do i tregojë qartë edhe atyre që nuk po arrijnë të shohin të vërtetën e manipulimit të zgjedhjeve se shqiptaret janë më të bashkuar se kurrë kundër arrogancës, krimit të organizuar në pushtet, oligarkëve oborrtarë të Edit, kundër rrugës që na kthen në diktaturë.

Beteja jonë nuk është kundër policëve te thjeshtë, kundër godinave të institucioneve, por kundër sistemit kriminal në pushtet. Protesta e sotme është protestë kundër dhunës të ushtruar nga Edi Rama ndaj qytetarëve të këtij vendi. Është protestë kundër varfërisë, papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së Rilindjes, kundër grabitjes së paskrupullt të taksave dhe pronave të shqiptarëve.

Sot është një ditë vendimtare për të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike. Ndaj sot të bashkojmë zemrat në protestën e orës 19;00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të jemi të gjithë bashkë për Shqipërinë tonë, për familjen shqiptare, për Kombin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb