Ali Ahmeti, politikani shqiptar, lideri historik i komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut me një rol të spikatur në zhvillimet më të rëndësishme politike në këtë vend, si dhe një prej figurave më të rëndësishme në skenën politike dhe shoqërore të Ballkanit Perëndimor, – u nderua sot me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës, në shenjë falënderimi për gjithë kontributin e tij në komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

I pranishëm në këtë ceremoni në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalë përshëndetëse.

Shefi i qeverisë e vlerësoi Ali Ahmetin si personalitetin më të mirë shqiptar që vendosi në rendin e ditës domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve si një subjekt i painjorueshëm në RMV.

“Një shqiptar ndër më të mirët e historisë sonë kombëtare” – e cilësoi Rama, politikanin Ali Ahmeti.

Rama deklaroi se pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë atij shtetit. Kryeministri tha me batutë se rikthimin e tij në Bashkinë e Tiranës, për herë të parë pas 13 vitesh, mund ta bënte vetëm një politikan si Ali Ahmeti.

“Vetëm Ali Ahmeti mund të më kthente këtu sot! Kam hedhur disa fjalë në letër sepse duke pasur parasysh që zakonshmit unë nuk flas shkurt, por duke pasur parasysh se edhe për kë duhet të flas sot, kisha shumë frikë se mund t’ju mbaja me orë të tëra për figurën, personalitetin dhe karakterin e Ali Ahmetit. Shumë i nderuar dhe i dashur kryetar, Ali Ahmeti. Sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët e historisë sonë kombëtare, një histori e shkruar me stërmundime të jashtëzakonshme, jo vetëm për shkak të fuqive të mëdha për të cilat dikur Shqipëria ishte një shprehje e bezdisshme gjeografike, as vetëm për shkak fqinjësh më të fuqishëm të cilët deri jo shumë dekada më parë e shihnin shqiptarin si atavizëm të padurueshëm historik në trevat dhe trojet e këtij rajoni provincial mes lindjes dhe perëndimit, po edhe për shkak shqiptarësh të këqij, të cilët armët e luftë dhe të diplomacisë i përdornin si rrallëkush kundër njëri – tjetrit pa pasur asnjëherë gajlen më të vogël që mes njeri-tjetrit dhe të huajit, të zgjidhnin të huajin.

Nuk besoj se një tjetër komb në Ballkan e ka vuajtur më shumë se sa shqiptarët përçarjen mes veti dhe ma ha mendja se mbi askënd tjetër mbi këtë lagje grindjesh, luftërash dhe prapambetjeje historike në mes Europës, nuk ka funksionuar më shumë sundimi përmes përçarjesh, çka ua ka bërë të huajve gjithnjë më të lehtë sesa gjetkë që ta pengojnë subjektivitetin tonë kombëtar të formësohet shtetërisht dhe të afirmohet botërisht, kudo ku shqiptarët jetojnë nën flamurin e Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Kosovës apo të republikave të tjera të rajonit, qofshin popullsi shtetpërbërëse si në Maqedoninë e Veriut, qofshin minoritete etnike, si në shtete të tjera.

Ali Ahmeti është një shqiptar ndër më të mirët i cili vite më parë iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe për të drejta të barabarta kushtetuese, të vëllezërve dhe motrave tona në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut, por me armët luftarake të asaj rezistence, nuk kërkoi as gjakderdhje etnike dhe as hedhje në erë të shtetit të pavarësuar nga shpërbërja e Jugosllavisë, por vendosi në rendin e ditës të Republikës së Maqedonisë, domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve si një subjekt i pa injorueshëm i shtet përbërjes të vendit fqinj.

Armët në krahun e asaj rezistence malesh nuk synonin ndarjen e Maqedonisë, por bashkimin e saj nën të njëjtin flamur vlerash dhe parimesh të bashkëjetesës demokratike mes popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Rruga e rezistencës së maleve që Ali Ahmeti me të tjerë shqiptarë të mirë e hapën me armët në krah, nuk ishte rruga e një misioni nacionalist lufte, por ishte rruga e një vizioni patriotik paqeje. Pa diskutim, ato armë në krahë nuk ishin asnjë bllof politikanësh të verbuar nga etja për pushtet dhe asnjë shaka aventurierësh të dalë nga “Viti i Mbrapshtë” i Ismail Kadaresë, por ishin deklarata më kuptimplotë e sosjes së durimit të shqiptarëve në kushtet e shpërfilljes diskriminuese të qenies së tyre të domosdoshme dhe të patjetërsueshme për paqen sociale dhe prosperitetin e integritetin e Maqedonisë.

Është ende herët për t’u shkruar historia e këtij shqiptari ndër më të mirët, por nuk është aspak herët të thuhet se ndër shqiptarët e kësaj kohe ndryshimesh epokale për kombin tonë ndër të cilat shkëlqen dhe ndryshimi rrënjësor i pozicionit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti është mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armës së diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin tonë kombëtar. Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti dhe as nuk do të kishin dot një pluralizëm demokratik, aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare saqë t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar.

Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë sepse nuk dua në asnjë mënyrë që një shprehje e plotë e opinionit tim sot, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne nuk kemi asnjë qëllim të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe të shqiptarëve, të cilëve u them vetëm të shohin interesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që sot është më shumë se kurrë ndonjëherë edhe e tyrja, krah për krah me bashkëqytetarët e tyre maqedonas dhe me të gjitha minoritetet që jetojnë në atë Republikë dhe ta mbrojnë Republikën e tyre, ashtu si dhe pozicionin e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, të cilat synojnë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe me mirëqenien e shtetit fqinj e që në asnjë rast nuk mund t’u sjellin shqiptarëve asgjë më të mirë sesa ata kanë arritur, por përkundrazi mund t’u shkaktojnë atyre dëme mbi ato që janë arritur.

Ali Ahmetit pa diskutim mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë, më shumë nga kushdo që është në pushtet dhe pse Ali Ahmeti nuk është ulur kurrë në një karrige zyre përveç atij kolltuku të vjetër të selisë së partisë së tij, s’ka dyshim se i takojnë atij në radhë të parë, sulmet dhe kritikat jashtë rreshtave të partisë së shumicës shqiptare që ai udhëheq, por ka një gjë që nuk e luan dot as topi, kur themi ne shqiptarët, e cila është se historia do ta thotë me zë dhe më të fortë sesa kushdo sot, dhe që është se; atë që ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin, për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për ngritjen lart të shqiptarëve, në sytë e krejt botës, të gjithë ne të tjerët nuk mund ta diskutojmë, por vetëm duhet ta pranojmë dhe nëse jemi të mençur ta marrim si një mësim, nga një shqiptar ndër më të mirët. Në mbyllje të kësaj fjale këtu, kur Tiranës i shtohet një qytetar nderi i përmasave të Ali Ahmetit, unë dua të sjell fjalën mençur të një politikani dhe udhëheqësi të madh, “djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb