Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, deklaroi se rezistenca qytetare që ka kaluar pragun e 100 ditëve protestë kërkon shpërbërjen e menjëhershme të Kuvendit dhe rrëzimin e qeverisë Rama për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira e demokratike.
Sipas tij, mazhoranca aktuale e ka humbur tërësisht legjitimitetin për të vazhduar drejtimin e vendit.
Qori nëvizoi se qëndrueshmëria e protestave, të cilat po kthehen në një model frymëzues edhe për mediat ndërkombëtare, i detyrohet faktit se lëvizja nuk udhëhiqet nga partitë politike, por organizohet direkt nga vetë shoqëria, të rinjtë dhe qytetarët e angazhuar.
Ai sqaroi se Lëvizja Bashkë ka dhënë kontributin e saj përditë pa kërkuar protagonizm politik.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të deputetëve të mazhorancës për dhunë verbal apo fizike, Qori theksoi se dhuna e vërtetë është ushtruar mbi vetë protestuesit që janë tërhequr zvarrë nga forcat e rendit.
Ai mbrojti aktivistët që u përballën me figura si Iris Luarasi, duke sqaruar se përballja e zyrtarëve me të vërtetat e dhimbshme të qeverisjes nuk përbën dhunë, por është thelbi i demokracisë. Sipas tij, mazhoranca është mësuar të jetojë e shkëputur nga realiteti, ndaj e konsideron si “sulm” çdo kërkesë të drejtpërdrejtë llogarie për abuzimet dhe korrupsionin e pushtetit.
