TIRANE– Në Ditën e Rinisë, dhjetëra të rinj të Forumit të Partisë Demokratike kanë protestuar para disa institucioneve të vendit. Duke rikujtuar 8 dhjetorit, Forumi Rinor i PD është organizuar në mënyrë të tillë që të “rrethojë” paralelisht disa institucione në kryeqytet.

Protesta ka nisur në orën 11:00, ku disa të rinj janë mbledhur për të protestuar para Ministrisë së Arsimit, disa të tjerë tek Bashkia e Tiranës dhe të tjerë të rinj tek Ministria e Brendshme, dhe Ministria e Shëndetësisë.

Në mënyrës simbolike ata kanë vendosur një arkivol para Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa tek mbajnë në duar pankarta të ndryshme, i bëjnë apel qeverisë “Mos bëni biznes me të ardhmen tonë”.

Sakaq, disa të rinj të tjerë kanë vendosur qese me plehra para Bashkisë. Para këtij institucioni ka protestuar edhe Ardian Gjoklaj, vëllai i Arditit që humbi jetën në vendgrumbullimin e mbetjeve ku edhe punonte. “Dua drejtësi për vëllain tim”, thotë Ardiani.

Të rinjtë demokratë me argumentin se meritokracia nuk shoqëroi maturantët e këtij viti që u prekën nga ligji i Arsimit të Lartë, dhe solli djegien e ëndrrave të një brezi të tërë, kërkuan dorëheqjen e Lindita Nikollës. Simbolikisht ironizuan universitet publike dhe private, dhe lëshuan drejt dyerve të Ministrisë shkumësa dhe libra, dhe në fund kyçen me zinxhir dyert e Ministrisë.

Kulmi i protestës ishte bllokimi për rreth 5 minuta të rrugës së Durrësit, ku të rinjtë u ulën në asfalt si shenjë reagimi ndaj politikave të ndjekura ndaj tyre.

Pas këtyre protestave paralele, në orën 12 protestuesit u bashkuan para Kryeministrisë në një protestë kundër qeverisë dhe reformave të saj.

Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi tha se sot Shqipëria është kthyer në një arë të madhe kanabisi.
“Droga në vend është opsioni i Edi Ramës për të rinjtë. Sot të rinjtë e kanë vështirë të shkollohen”, tha ai.

Në Ditën e Rinisë janë zhvilluar protesta edhe në Kukës, Sarandë dhe Korçë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb