Të paktën 20 protestues janë shoqëruar në polici pasditen e së martës, 8 shtator, pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara para Parlamentit, gjatë seancës së parë plenare pas rikthimit të deputetëve nga pushimet.
Sipas gazetares Xhensila Kodra, nga 20 personat e shoqëruar, njëri prej tyre është arrestuar. Bëhet fjalë për Mustafa Veizin, i cili dyshohet se ka qëlluar me vezë drejt automjetit të deputetes së Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi.
Protesta e së martës u shoqërua me tensione të vazhdueshme mes qytetarëve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Gjatë tubimit pati përplasje, ndërsa një numër protestuesish u shoqëruan në komisariate.
Qytetarët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat para Parlamentit edhe në ditët në vijim. Ata kanë akuzuar deputetët se nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe i kanë cilësuar ata si persona të zgjedhur me mbështetjen e krimit dhe jo të popullit.
