Protesta antiqeveritare ka hyrë në ditën e 107-të, ndërsa aktivisti Petrit Tafaj e ka cilësuar atë si një “tërmet në politikën shqiptare”. Në një intervistë me Ina Qirjon në Neës24, Tafaj tha se lëvizja qytetare ka marrë një ritëm tjetër dhe se ardhja e diasporës po u rikthen shpresën qytetarëve. Ai theksoi se, pavarësisht perceptimit se ritmi i protestave mund të jetë ngadalësuar, ajo që shihet në terren është një realitet tjetër.
Sipas Tafajt, qytetarët presin ardhjen e diasporës dhe gjatë marshimeve ai ka parë një pjesëmarrje që, siç u shpreh, e ka emocionuar. “Njerëzit kanë shpresë kur vjen diaspora”, tha aktivisti.
Tafaj kritikoi gjithashtu partitë politike, duke thënë se ato po përpiqen të përfitojnë nga protesta. Sipas tij, në protestë shfaqen si partitë e vogla, që sipas tij vijnë pas protestuesve për të bërë selfie, ashtu edhe PS-ja e PD-ja, ndërsa qëllimi duhet të jetë që të përfitojnë qytetarët.
Duke folur për kryeministrin Edi Rama, Tafaj tha se protesta i ka shkaktuar një goditje të fortë, por sipas tij Rama ka nisur të rimarrë veten pas fazës së parë të tronditjes. Aktivisti tha se presioni i protestës nuk është më në të njëjtin nivel si më parë dhe se mungesa e një drejtimi të qartë e dobëson lëvizjen.
Në përfundim, Tafaj u shpreh se mbështet një revolucion politik, por jo protesta të dhunshme. Sipas tij, lëvizja ka nevojë për drejtues, njerëz intelektualë dhe figura bindëse që të mund ta çojnë përpara revoltën qytetare.
“Rama ka pësuar një goditje shumë të fortë, por ka nisur të rimarrë veten pas fazës së shokut. Vijon e vjedh me VKM. Ministrat i shtrydh si limonë mbi peshk dhe i flak.
Presioni i protestës nuk është më kaq i fortë. Tren pa lokomotivë nuk ka. Rama po merr veten dhe ndërkombëtarët po mësohen tashmë me këtë situatë. Unë jam për revolucion jo për protesta të dhunshme. Protesta ka nevojë për drejtues, njerëz intelektualë dhe bindës.
Megjithatë fytyra e Ramës në arenën ndërkombëtare ka rënë, edhe në mbledhjet e NATO-s dihet që ai vjen nga një vend ku ka protesta çdo ditë”, tha ai.
