Policia në Bjellorusi ka arrestuar qindra persona dhe përdori gazin lotsjellës dhe granata tymi kundër protestës së të dielës. Në kryeqytetin Minsk, rreth 100,000 vetë dolën në rrugë me flamujt e opozitës, të kuq dhe të bardhë, duke brohoritur “fashist” dhe “turp”.

Protesta pati edhe në qytetet Homel, Hrodna e të tjera. Grupi i të drejtave të njeriut në Bjellorusi, Vyasna, publikoi emrat e 341 personave të ndaluar të dielën. Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë raporton se Ministria e Brendshme në Bjellorusi pranoi ndalimin e “rreth 200” protestuesve në të gjithë vendin. Protestat në Bjellorusi kanë nisur qysh pas zgjedhjeve të 9 gushtit, në të cilat Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë presidencial.

Sipas opozitës, protestuesve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet janë manipuluar në favor të tij. Protestat e së dielës kanë qenë të 50-tat me radhë. Lukashenka është në pushtet qysh në vitin 1994.
Ai ka akuzuar disa vende të Perëndimit për përpjekje “për ta shkatërruar vendin e tij”. Policia bjelloruse ka shtypur dhunshëm protestat. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin Lukashenkën si president të Bjellorusisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: