Ish-prokurori Eugen Beçi ka reaguar për protestat masive të studentëve në Tiranë, duke vënë theksin te roli i drejtësisë në garantimin e zbatimit të ligjit dhe hetimin e çdo shkeljeje të mundshme.
Në reagimin e tij, Beçi thekson se asnjë palë nuk duhet të jetë mbi ligjin, qoftë protestuesit që kryejnë veprime të paligjshme, apo efektivët e policisë që mund të tejkalojnë kompetencat. Ai kërkon që Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të hetojnë me objektivitet çdo rast të përdorimit të paligjshëm të forcës nga uniformat blu.
Sa i përket SPAK-ut, ish-prokurori nënvizon se cilësimi i një ngjarjeje si akt terrorist duhet të mbështetet në prova dhe në kriteret e përcaktuara nga Kodi Penal, jo në deklarata politike.
Sipas Beçit, besimi i publikut te drejtësia mund të rikthehet vetëm kur çdo person që shkel ligjin të mbajë përgjegjësi, pavarësisht pozicionit apo rolit të tij.
Mesazhi i ish-prokurorit Egen Beçi
Drejtësia përballë Protestave: Kur mbaron retorika politike dhe fillon ligji.
Në situata të tensionuara protestash, sistemi i drejtësisë kalon testin e tij më të madh: a mund të ruajë pavarësinë dhe të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë, apo do të ndikohet nga presioni i ditës?
Nga pikëpamja e procedurës penale dhe shtetit të së drejtës, standardi duhet të jetë i prerë dhe pa kompromise:
- Kush i ndëshkon veprimet e paligjshme të Policisë?
Asnjë uniformë nuk jep imunitet. Veprimet e paligjshme, tejkalimi i forcës apo shoqërimet e dhunshme nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit duhet të hetohen menjëherë nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm (për oficerët e nivelit zbatues) në bashkëpunim me AMP. Ky nuk është një opsion, por detyrim ligjor. Prokuroria duhet të sekuestrojë planet e masave, urdhrat e operacionit dhe pamjet filmike, duke i trajtuar shkeljet e policisë me të njëjtën ashpërsi siç trajton aktet e dhunshme të protestuesve.
- Roli i SPAK: “Aktet Terroriste” dhe Zyrtarët e Lartë
Kur diskursi politik përshkallëzohet duke i etiketuar zhvillimet si “akte terroriste”, kompetenca ligjore kalon ekskluzivisht tek SPAK. Ligji ia ka dhënë këtë kompetencë SPAK-ut, ashtu siç i ka dhënë kompetencën të hetojë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë apo drejtuesit e lartë të Policisë nëse japin urdhra të paligjshëm.
Megjithatë, SPAK duhet të veprojë si një filtër objektiv: klasifikimi i një vepre si “terrorizëm” bëhet vetëm nëse provohen elementët e posaçëm të Kodit Penal, dhe kurrë mbi bazën e deklaratave politike apo emocioneve publike. SPAK duhet të godasë ashpër aty ku ka fakte, dhe të rrëzojë akuzat kur ato janë thjesht fasadë politike.
- Çfarë do të thotë Hetim Objektiv?
Neni 304 i Kodit të Procedurës Penale e detyron prokurorin të mbledhë prova si për të fajësuar, ashtu edhe për të shfajësuar të dyshuarit. Kjo do të thotë që faji nuk prezumohet. Çdo sjellje—qoftë e protestuesit që hedh një mjet piroteknik, qoftë e policit që përdor shkopin e gomës jashtë rregullave—duhet t’i nënshtrohet të njëjtit standard prove.
Si kthehet besimi i publikut?
Besimi te drejtësia nuk vjen me deklarata, por me një drejtësi me “sy të lidhur”. Publiku do të besojë te shteti i së drejtës vetëm ditën kur të shohë që një polic që shpërdoron detyrën, një zyrtar i lartë që jep një urdhër të paligjshëm, dhe një protestues që kryen vandalizëm, përgjigjen njëlloj përpara ligjit. Drejtësia nuk bën politikë; drejtësia heton fakte!
