Më shumë se 250 mijë persona protestuan dje në të gjithë Francën, në një valë demonstratash të nisura nga të rinjtë, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve në shkolla dhe universitete. Protestat janë shndërruar në një nga lëvizjet më të mëdha protestuese që Franca ka parë prej vitesh, duke vënë në vështirësi qeverinë franceze.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në protestat e zhvilluara në të gjithë vendin morën pjesë rreth 256 mijë persona, prej të cilëve 56 mijë vetëm në Paris. Sindikatat e arsimit japin një shifër shumë më të lartë, duke vlerësuar se numri i protestuesve në mbarë Francën arriti në rreth 450 mijë.

Në demonstrata morën pjesë nxënës, studentë, mësues, prindër dhe sindikata. Protestat u zhvilluan në Paris dhe në qytete të mëdha si Lioni, Lille, Marseja, Tuluzë, Bordo, Ren dhe Strasburg.

Sindikatat e mësuesve deklaruan se rreth 1,800 shkolla të mesme u bllokuan ose u mbyllën përkohësisht, ndërsa rreth 90% e universiteteve u përfshinë në protesta. Ministria e Arsimit raportoi se mësimi u ndërpre plotësisht ose pjesërisht në 891 shkolla të mesme.

Përballë përmasave të protestave, presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi mbrëmjen e djeshme një mbledhje urgjente me kryeministrin Sebastien Lecornu, ministrin e Brendshëm Laurent Nunez dhe ministrin e Arsimit Edouard Geffray.

Macron deri tani nuk kishte ndërhyrë publikisht në mënyrën se si qeveria po menaxhonte protestat, të cilat nisën muajin e kaluar. Tashmë, përmasat e tyre kanë shtuar presionin ndaj ekzekutivit, veçanërisht kur zgjedhjet presidenciale janë vetëm shtatë muaj larg.

Protestuesit kërkojnë ndryshime konkrete në sistemin arsimor. Nxënësit ankohen për anulimin e orëve të mësimit për shkak të mungesës së mësuesve zëvendësues, gjendjen e dobët të shumë shkollave dhe nevojën për rikonstruksione. Ata kërkojnë gjithashtu kushte më të mira për mësim dhe thonë se në lagjet më të varfra të rinjtë ndihen të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë dhe se shqetësimet e tyre nuk merren seriozisht.

Kryeministri Lecornu u ka kërkuar ministrive të ndërmarrin ndryshime konkrete në shkolla dhe të dëgjojnë kërkesat e nxënësve. Qeveria ka propozuar gjithashtu që në shkolla të zhvillohen diskutime për problemet e nxënësve, në vend të orëve normale të mësimit. Ndërkohë, ministri i Arsimit ka hapur një platformë online ku nxënësit mund të paraqesin shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Përplasje me policinë, qindra arrestime

Protestat janë shoqëruar edhe me përplasje me policinë. Forcat e rendit janë kritikuar gjithnjë e më shumë për përdorim të tepruar të forcës, veçanërisht për përdorimin e gazit lotsjellës. Në Marsejë, një protestues mbante një pankartë ku shkruhej: “Përdorni gaz lotsjellës ndaj përdhunuesve, jo ndaj të miturve.”

Edhe disa politikanë kanë kritikuar mënyrën e ndërhyrjes së policisë, ndërsa një strukturë zyrtare që kontrollon forcat e rendit po heton disa raste ku protestuesit janë plagosur nga efektivët.

Nga ana tjetër, policia është sulmuar me fishekzjarre dhe objekte të tjera. Të paktën 43 efektivë u plagosën vetëm gjatë protestave të djeshme.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se 488 persona u arrestuan gjatë demonstratave. Që nga fillimi i protestave, numri i të arrestuarve ka shkuar në 5,060, ndërsa sipas Ministrisë së Drejtësisë, 87% e tyre janë të mitur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb