Gjatë protestës së qytetarëve përpara godinës së Kryeministrisë, gazetari Klevin Muka ka mbajtur një fjalim të fortë. Ai ka goditur ashpër mungesën e kushteve esenciale në vend, duke vënë në dukje kontrastin mes pasurive natyrore të Shqipërisë dhe realitetit të vështirë të qytetarëve.
“Këtu jam me një simbolikë, me një bidon uji bosh. Dua t’i kthej një përgjigje atyre që thonë pse dilni në protestë. A ju kujton gjë shprehja erdhi uji? Kemi 36 vite që bredhim me bidona nëpër duar që të mbushim ujë, kur jemi vendi i dytë për burime ujore në Europë. Sa të paaftë kanë qenë kjo kastë politike për të siguruar gjërat esenciale? Pas 36 vitesh flasim ende për ujin e pijshëm”, u shpreh Muka.
Gazetari e zgjeroi akuzën e tij edhe te çmimi i lartë i karburanteve, duke theksuar se keqmenaxhimi dhe korrupsioni po gjymtojnë ekonominë e familjeve shqiptare, pavarësisht resurseve që ka vendi.
“Ndaj është shumë e rëndësishme t’i themi mjaft dhe boll këtyre që i kanë pirë gjakun këtij kombi duke mos garantuar gjërat më bazike si uji i pijshëm, ndërkohë që jemi vendi i vetëm në rajon që kemi resurse dhe burime nafte dhe vendi që kemi naftën më të shtrenjtë në rajon sepse këta na vjedhin kudo! Nuk shitet gjaku ynë, gjaku i dëshmorëve për një rrogë!”
Në mbyllje të fjalës së tij, ai bëri thirrje për dinjitet dhe qëndresë, duke nënvizuar se fati i gjeneratave të ardhshme po vendoset pikërisht nga kjo valë protestash në shesh.
“Ndoshta do keni një pjatë më shumë në tavolinë, një makinë më të mirë, por asgjë nuk ka kuptim kur nuk keni identitet! Dhe një mesazh të fundit, këtu ndahet historia. Nëse fëmijët tanë do jenë qytetarë të botës, sheshi këtu do e përcaktojë! Për ata që pyesin kur do përfundojnë protestat, do përfundojnë kur të fitojmë ne këtu!”
