Një protestë po zhvillohet këtë të shtunë pranë TEC-eve lundruese në Vlorë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit.
Në zonë është vënë re një prani e shtuar e forcave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë rrethuar perimetrin për të garantuar mbarëvajtjen e protestës dhe ruajtjen e rendit publik.
Protestuesit kanë marshuar drejt TEC-eve lundruese me pankarta dhe thirrje në mbrojtje të Gjirit të Vlorës, ndërsa deri më tani nuk raportohen incidente. Situata vijon të monitorohet nga forcat e policisë.
Një prej qytetarëve të pranishëm i ka cilësuar TEC-et lundruese si “tigrat që flenë gjumë dhe marrin para”, ndërsa tha se ato kanë përfituar mbi 70 milionë euro.
“Jemi këtu përpara Tigrit 1 dhe Tigrit 3. Janë këta tigrat që janë në Vlorë, por flenë gjumë dhe marrin para. Kanë marrë deri më tani mbi 70 milionë euro. Ato 70 milionë euro, po t’u shpërndaheshin këtyre policëve, do të kishin të gjithë një uniformë shumë më të mirë. Do të ndihmoheshin pensionistët, spitalet, por kjo është vjedhje e pastër.
Kanë ardhur nga Bangladeshi, kanë punuar, kanë dy vite pa punë këtu tigrat. Më në fund ndezën ca ditë këto motorët e këtij TEC-i, sa për të marrë 70 milionët. Për këtë ka përgjegjës dhe ata janë Belinda Balluku dhe Ergys Verdho, që ka qenë drejtor i KESH-it, ka firmosur për këto. Është Erald Elezi, drejtori i KESH-it, i cili i mori në dorëzim këto edhe kur nuk punonin, ose kur punonin me karburant fallco. Edhe SPAK po heton për këtë.
Ne jemi këtu pak veta, kemi vendosur një pankartë ku themi që “rrëzojmë gardhin e TEC-it lundrues”, por nuk kemi ardhur këtu për ta rrëzuar fizikisht. Gardhin do ta rrëzojnë ata që e kanë vendosur, KESH, qeveria, kompanitë offshore. Ata duhet të vijnë ta heqin sa më parë. Nëse jo, këta policë që janë këtu nuk kanë për ta përballuar popullin e Vlorës që do të vijë vërtet për t’i rrëzuar këto gardhe në momentin e duhur, pasi të jemi të sigurt që qeveria nuk ka reaguar.
Populli do të vërshojë dhe nuk ka policë që ta ndalojë. Sot i kërkojmë policisë të na lejojë brenda këtij gardhi dhe njerëzit që nuk i kanë parë këta tigra grabitqarë, t’i shohin. Gardhi i sigurisë nuk është këtu, është gardhi i portit të peshkimit. Ne pse nuk na lejoni të shkojmë te porti?
Nëse hiqen këto tigrat, do të ishte një biznes fantastik turistik për vlonjatët, tregtarët. Akoma kanë mundësi që, para se të mbarojë kontrata me qira e këtyre tigrave, nëse nuk hiqen brenda këtyre ditësh, do të përballeni vërtet me furinë e popullit për të liruar hapësirën.”, tha qytetari.
Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare i paguan çdo ditë 60.000 dollarë qira shoqërisë amerikane “Excelerate Energy” për dy TEC-et lundruese të ankoruara në Vlorë prej disa vitesh, por që ende nuk janë testuar. KESH i paguan edhe 30.000 dollarë në ditë shoqërisë italiane “Renco” për furnizimin e shërbimit të energjisë elektrike të gjeneruar nga dy TEC-et lundruese, të cilët nuk kanë prodhuar asnjëherë energji.
