Në ditën e 47-të të revoltës qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës, protestuesit e parë kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbej” përpara se të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Mes qytetarëve të shumtë, një i moshuar, ish-minator, ka lëshuar akuza tejet të rënda ndaj të gjithë klasës politike shqiptare në një prononcim për mikrofonin e News24.
Ai u shpreh se ka arsye të panumërta për të protestuar, por theksoi se kauza e vërtetë duhet të synojë shkatërrimin e dy forcave kryesore politike në vend, të cilat i cilësoi si trashëgimtare të drejtpërdrejta të komunizmit.
Me tone të ashpra dhe i revoltuar, i moshuari deklaroi se skena politike shqiptare ka mbetur peng i vitit 1990 dhe se asgjë nuk do të ndryshojë nëse nuk shkrihen dy partitë e mëdha.
“Kam shumë arsye për të protestuar. Kam punuar minator. Por është kot protesta nëse PS dhe PD nuk shkrihen. Ato janë thjesht fraksione të Partisë së Punës, të krijuara nga Ramiz Alia me urdhër të Beogradit. Prandaj është kot nëse nuk gjendet mënyra të shkatërrohen këto dy parti,” u shpreh prerë ish-minatori.
Më tej, pensionisti kritikoi ashpër përbërjen e Kuvendit të Shqipërisë përgjatë këtyre dekadave të pluralizmit, duke i cilësuar deputetët si servilë të kryetarëve të partive që nuk mbrojnë interesat e popullit.
“Në parlament ka 36 vite që zënë vend deputetë pa shkollë. Ata janë rrezik, zënë vendin kot, servilosen ndaj kryetarëve të partisë dhe rrezikojnë popullin sepse nuk guxojnë të kundërshtojnë! Parlamenti është forumi më i lartë dhe nuk mund të trajtohet kështu,” përfundoi i moshuari.
