Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit Begaj mbi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë, duke theksuar se ky zhvillim është pjesë e funksionimit normal të sistemit institucional në vend.
I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Vangjeli tha se do të ishte shumë e vështirë të imagjinohej që në datën 9 nëntor do të ketë zgjedhje në bashkinë e Tiranës për shkak të afateve të ngushta.
“Teorikisht, nuk ka zgjedhje më 9 nëntor,” tha Vangjeli.
Ai theksoi se vendimi i sotëm nuk përbën një situatë të jashtëzakonshme, por një proces normal institucional.
“Sot nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Sistemi ka funksionuar. Pati një gjykim, u bë një ushtrim juridik nga këshilli bashkiak, u shkarkua kryetari i bashkisë, pasoi dekreti i Presidentit, dhe Gjykata Kushtetuese tha se është në kundërshtim me ligjin. Topi është sërish në qendër,” u shpreh analisti.
Në mënyrë figurative, ai ironizoi klimën politike në vend duke thënë:
“Shqipëria është në një cikël të pafundëm fushatash. Lërini spekulimet. Ka marrëzi që qarkullojnë në politikë, por kjo është normale.”
