Pse digjen monumentet e kulturës të mbrojtura nga shteti? Një ligj i ri i trashëgimie i miratuar në vitin 2018 me bujë të madhe e premtime epokale, si perde e hekurt ndaj shkatërrimit duke mbrojtur deri edhe peizazhin historik, që së pari do të ndalonte ndërtimet e larta, ka zhdukur nenin, që i detyronte pronarët dhe shtetin, që në rast shkatërrimi për shkaqe natyrore, në të njëjtin truall objekti do të rindërtohej në të njëjtin volum. Zhdukja e këtij neni, i ka hapur rrugë djegieve si pasojë ku shkaku janë projektet ndërtimore.

Arkitekti Kreshnik Merxhani thotë se “ligji ka filluar dhe lëshon pe pafund për sa i përket mbrojtjes së monumenteve të kategorisë së parë veçanërisht detyrimit për t’i rindërtuar ato nëse shkatërrohen prej shkaqesh të jashtëzakonshme, siç është edhe zjarri. Unë kam ngritur pyetjen se çfarë do të bënte një ndërtues nëse edhe po të digjej një pronë, ajo të duhej të ndërtohej si detyrim ligjor me po atë volum dhe me po me ato materiale siç ishte?”.

Falë këtij neni të ligjit të vjetër të trashëgimisë, shtëpia e Themistokli Gërmenjit në Korçë, e njohur edhe si shtëpia e flamurit, ndonëse u la të shkatërrohej në vitin 2012, u rindërtua vite më pas, paralelisht me zhdukjen e nenit në ligjin e ri. Ndërsa peizazhi urban që në ligj u fut për herë të parë nuk i ka ndalur dëmet as në Tiranë dhe as në Gjirokastër ku bajpasi vazhdon, pavarësisht kërkesës së Unesco-s për të ndalur ndërhyrjen.

“Kanë vijuar me makineri të rënda, me ritëm të larët dhe po dëmtojnë peizazhin historik dhe kultutor të Gjirokastrës, po afrohen shumë me një zonë me potencial të lartë arkeologjik se bëhet fjalë për lagjen e parë të dalë nga kalaja. Dhe sigurisht që ka ndikim edhe në gjeologjinë aty dhe prek edhe integritetin strukuror të kalasë”.
Merxhani thotë se emrat e specialistëve të trashëgimisë që janë konsulentë të bajpasit në Gjirokastër nuk janë bërë publik, ndërsa projekti, rrezikon të nxjerrë qytetin nga lista e UNESCO-s.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb