Ndryshimet klimatike janë shndërruar në një kërcënim serioz për monumentet kulturore antike greke dhe për gjithë vendet e trashëgimisë kulturore në të gjithë botën.

Pavarësisht nëse kërcënimi vjen nga zjarret e shpeshta, erozioni bregdetar, përmbytjet, shiu acid ose ndikimet e ndryshimeve të nxehtësisë dhe lagështisë në materialet e ndërtimit, ndikimet e ndryshimeve klimatike do të jenë kritike për ruajtjen dhe menaxhimin e pothuajse të gjitha monumenteve në të ardhmen.

Sipas Ministrisë Greke të Kulturës, “rreziku i menjëhershëm, i përhapur dhe sistematik nga efektet e ndryshimeve klimatike nuk është regjistruar” në monumentet antike të kulturës në vend.

Megjithatë, Ministria pranon se ekzistojnë “rreziqe klimatike ekzistuese, të cilat prekin zonat më të gjera, në të cilat ndodhen monumentet apo vendet arkeologjike”, për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit si përmbytjet, zjarret, ngritja e nivelit të ujit dhe erozioni.

Vitin e kaluar, zona arkeologjike e Olimpias, shtëpia e Lojërave Olimpike në antikitet, u kërcënua nga një zjarr. Në vitin 2020, Porta e Luanit, harku ikonë prej guri që shërben si hyrja kryesore e kalasë së Mikenës në Peloponez, u nxi, por fatmirësisht nuk u dëmtua nga zjarri.

Sipas mediave helene, fenomenet ekstreme të motit të vërejtura vitet e fundit, si dhe ndotja e ajrit dhe shiu acid, kanë krijuar probleme strukturore në muret dhe tempujt e Akropolit, i cili është një nga vendet arkeologjike më të ruajtura në Greqi.

Përpjekjet për të ruajtur dhe mbrojtur Akropolin dhe monumentet e tij kanë vazhduar për dekada, një proces që është përshpejtuar që nga mesi i viteve 1970.

Por vendi ka një numër të madh të objekteve të tjera arkeologjike, të cilat janë plotësisht të ekspozuara ndaj rreziqeve.

Rast konkret mund të jetë parku arkeologjik në ishullin Delos. Drejtori i Shkollës Franceze të Athinës, Alexandre Farnoux, theksoi së fundmi se dëmet e shkaktuara nga deti, era dhe shiu janë përshpejtuar dukshëm në dhjetë vitet e fundit.

Farnous tha, sipas Reuters, ka pasur “dëmtime serioze në mure, veçanërisht në ato prej prej guri gëlqeror, duke përfshirë zhdukjen e lidhjeve dhe depërtimin e ujit në themelet e ndërtesave”.

Ai vuri në dukje se shirat e viteve të fundit kanë ngritur nivelin e ujit, gjë që, së bashku me rritjen e nivelit të detit, “ka bërë që uji të depërtojë në mënyrë shkatërruese në zonën arkeologjike”.

(Greekreporter/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb