TIRANË- “Studio e Hapur” sjell sonte një temë aq shumë të debatuar dhe të ndjeshme për Shqipërinë në shekuj, emigracionin. Përballë gazetares Eni Vasili janë Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, deputetja e PD Albana Vokshi, aktivistja Dalina Fico dhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.

Duke iu përgjigjur pyetjes ‘1 milion dollarëshe’, “Pse ikin shqiptarët”, Ministri Klosi tha se ata duan një jetë më të mirë dhe se numri nuk është problematik por se Shqipëria duke mos qenë pjesë e BE-së, figuron në listën e vendeve me persona të larguar, por nëse do ishte në BE lëvizja do të ishte më se normale.

“Mendoj se nuk jemi para një eksodi por një kërkese për një jetë më të mirë. Realisht futja në një treg shumë më të madh, në një konkurrencë europiane është një konkurrencë që duhet të dimë të ballafaqohemi. Jam i kënaqur me punën tonë dhe nuk jam i kënaqur me largimin. Shqiptarët po ikin për një jetë më të mirë. Nuk janë emigrantë, janë diasporë, janë njerëz që duan të jenë në tregun europian të punës. Për 100 mijë aplikime që kanë ndodhur janë vetëm 2000 veta që fitojnë. Dëshira e njerëzve për një jetë më të mirë është një dëshirë që e kemi fituar 25 vite më parë.
Ne nuk jemi pjesë e familjes europiane dhe Shqipëria si e tillë është një nga vendet që ka informacion për të larguarit. Por nuk ka për bullgarët, italianët. Jemi vendi i vetëm europian. Lëvizja e një bullgari nga Bullgaria në Gjermani nuk përbën lajm, është lëvizje e lirë. Shpresoj shumë që brenda këtij muaji të hapim negociatat. Ne duhet të shqetësohemi nga fenomeni por duhet ta kuptojmë se po hyjmë në një garë të vështirë, në një treg agresiv. Një nga mekanizmat është arsimi profesional. Kemi folur shumë edhe në studion tuaj. Për sa kohë nuk kemi një krah pune të kualifikuar që prodhon një krah pune të paguar mirë do vazhdojë lëvizja”, tha Klosi.

Ndërsa deputetja demokrate Albana Vokshi e cilësoi gjenocid ikjen e mijëra qytetarëve dhe zbrazjen e fshatrave.

“Çështja është bërë problematikë jo e vogël. 10% e popullsisë po aplikon për të ikur. Është shumë. Ka fshatra të tëra që po shfarosen, nuk gjen asnjë njeri. Është gjenocid”, tha Vokshi.
Ajo tha se Shqipëria nuk është vend në konflikt por sërish ka një numër shumë të madh azilkërkuesish.
“Ne jemi i vetmi vend jo në konflikt me një numër kaq të madh azilkërkuesish. Pse nuk ua siguron të gjithëve një vend pune, ju premtuat 300 mije vende të tilla?”, tha ajo.

Klosi tha se pati një mashtrim me kërkesën e Gjermanisë për të punësuar njerëz por pas sqarimit, numri i atyre që kërkojnë të ikin është ulur.
“Mashtrim i madh për kërkesën e Gjermanisë për punësim. Ka rënë kërkesa sepse u sqarua se mundësia për punësim nga azilimi është zero”, tha ai.

Edhe aktivistja e shoqërisë civile Dalina Fico tha largimi nuk është një fenomen që prek vetëm shqiptarët duke dhënë shembull nga Spanja.
“Kush nga periferia nuk tenton të ikë drejt qendrës, drejt zhvillimit. Natyrisht që njerëzit kërkojnë më të mirën. Për të dhënë një kuadër të përgjithshëm, në 2013 nga Spanja lëvizën për Angli, Gjermani, e vendet nordike 100 mijë njerëz me shkollë të lartë. Nuk mendoj që është një fenomen që na prek vetëm ne. Është e pakuptueshme që 2-3 vite pas numrit të madh të të ikurve nuk kemi një analizë, kush janë këta, pse ikin. Nga informacioni empirik dimë që kanë ikur njerëzit nga zonat më të varfra. Ka një informacion që Gjermania ka hapur dyert. Ka agjenci që premtojnë se iu gjejnë punë njerëzve. Është një fenomen që ndodh kudo por ne duhet të dimë arsyet tona dhe të zgjidhim problemet tona”, tha ajo.

Ndërsa kreu i AK, Spahiu ka bërë një tablo akoma më të zymtë. Ai deklaroi se shqiptarët ikin në vendet e BE-së dhe kërkojnë të mbrohen nga vetë shteti amë.

“Kam përshtypjen që deri tani jemi duke folur në një koncept të përgjithshëm. Çfarë është specifike me emigracionin shqiptar. Ato aplikime që bëhen për në SHBA janë për një kontratë pune për të jetuar në SHBA dhe nuk janë as 2% të të larguarve. Problemi i shqiptarëve është ky, shqiptarët kërkojnë azil politik. Do të thotë kërkesë që shkon të strehohesh në Gjermani, Belgjikë, Spanjë, Francë, etj. dhe kërkon të mbrohesh nga shteti nga i cili ke ardhur. Ke mbi 2000 shqiptarë që kanë kërkuar të mbrohen nga shteti shqiptar. Koncepti që futen në kamp me sirianët është se dhe ata janë azilkërkues. Shqipëria nuk renditet tek vendet në luftë po ku respektohen të drejtat e njeriut. Shqipëria zë vendin e parë në botë për azil politik në listën e vendeve që nuk duhet të kërkojnë azil politik. Duhet të ndalemi tek një antagonizëm i kërkesës popullore për të kërkuar azil politik në këto vende dhe tek shteti që thotë se i mbron të drejtat e njeriut. Jam futur në burg për kupon tatimor, për lidhje të energjisë elektrike, etj. Rast pas rasti është që ata kërkojnë mbrojtje. Mungesa e sigurisë për jetën, për pronën, për familjen kjo shkakton kërkesën për azil politik. Kësaj i shtohet edhe varfëria”, theksoi kreu i AK.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb