Ishte vjeshtë viti 1992.

Në Poliçan kishin nisur trazira. Deputeti socialist Ilir Meta kishte shkuar me shërbim. Pikërisht këtu nis sherri. Disa qytetarë u futën në bashki. Të tjerë brohoritnin rreth ndërtesës. Turma u shtua. U njoftua Tirana.
Me helikopter u nis Bashkim Kopliku, në atë kohë ministër i Brendshëm dhe zv.kryeministër. Fluturoi në Poliçan. Bisedoi. U kthye në Tiranë.

Në orën 19.00 u fut në sallën e parlamentit. Hodhi çantën dhe foli:
-Deputeti socialist Ilir Meta po nxit trazirat në Poliçan. Duhet t’i heqim imunitetin për ta gjykuar!
Fjalë e madhe! Llaf me peshë për të hequr imunitetin, kur del nga goja e një ministri me dy nishane!
U bënë gati letrat. U mblodh Komisioni i Mandateve. Kryetari ishte Sadedin Balla, deputet i Partisë Demokrartike. Pas disa ditëve ai foli me grupin parlamentar:

-Zotërinj deputetë! Zoti Selami, kryetar i Partisë Demokratike! E verifikuam problemin. Biseduam edhe me Presidentin Berisha. Përfundimi: ai djalë (Iliri) nuk është fajtor. Jo vetëm që nuk është fajtor, por, me autoritetin e tij, ka shmangur konfliktin. Ka qetësuar qytetarët e Poliçanit!
-Nuk jemi dakord,- u dëgjua një zë, që fliste si zakonisht në numrin shumës.- Duhet të ruajmë autoritetin e ministrit!
-Po autoriteti im?-tha Kryetari i Komisionit të Mandateve. – E kuptova. Nuk mund të kthehem në mashë për të ruajtur autoritetin e të tjerëve. Po jap dorëheqje, madje që tani. Raportin e përgatitur nga komisioni le ta lexojë zëvendësi im.
Folën edhe deputetë të tjerë demokratë. Fjala e tyre anonte nga ministri. Motivi: të ruajmë kuadrot!

-Zoti kryetar i Partisë, Eduart Selami!- fola unë në mbledhjen e grupit parlamentar.- Në se Ilir Meta nuk ka faj, pse duhet t’ia heqim imunitetin?! Ne nuk duhet t’i diskutojmë deputetët sipas ngjyrave: të ruajmë kolorin e blusë, të çngjyrosim të kuqen! Me këtë logjikë shumë shpejt do ta hamë njëri-tjetrin…
-Nuk ka ndonjë të keqe, – tha Selami, ashtu qetë, si zakonisht.- Ne ia heqim imunitetin. Drejtësia bën punën e saj. Në se nuk ka fakte, Ilir Meta kthehet në Parlament. Nejse! Vendimi i grupit! Do të votojmë për heqjen e imunitetit.
Dhe kështu ndodhi. Ilirit iu hoq imuniteti. Pastaj iu kthye: ishte i pafajshëm.
Askush nuk bëri autokritikë…Por dy vjet më von ju hoq imuniteti Eduart Selamit. Pstaj Pashkos, Neritan Cekës, Arben Imamit, Azem Hajdarit etj etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: