Vrasja e Ergys Dashit, shqiptar që u vra në Ekuador si pjesë e një grupi të trafikut të kokainës, është bërë sot pjesë e emisionit ‘Në Shënjestër’ në ‘News24’ të gazetares Klodiana Lala.

Gazetari i kronikës së zezë, Ermal Vija pohoi se vrasjet në Ekuador kryesisht ndodhin për të fituar territor në tregun e drogës.

“Ekuadori është një pikë tranzite e kokainës. Qindra shqiptarë ndodhen aty. Autoritetet shqiptare nuk kanë një numër të saktë të shqiptarëve atje, pasi shumica e tyre janë aty për trafikun e kokainës. Shqiptarët aty përdoren si pikë kontakti mes grupeve kriminale që operojnë në disa vende në Ekuador. Në rreth dy vite ka zbarkuar 1.5 ton kokainë në portin e Durrësit. Në rastin e Çekajt, një pjesë e drogës u gjet në dyshemenë e kontejnerit. Ka përplasje në Ekuador për të fituar territorin, pasi lëvizjet e sasive të mëdha të kokainës, duan njerëz dhe financa të mëdha.”, tha Vija. Ndërkohë, gazetarja Fatjona Medini tha se të gjitha vrasjet e shqiptarëve që ndodhin në Ekuador, pas saj kanë si autorë bashkatdhetarët e tyre.

“Të gjitha vrasjet që ndodhin në Ekuador, mes shqiptarëve, kryhen nga shqiptarë të tjerë. Do i quaja këtë shqiptarë, emisarë. I nisin në Ekuador për të marrë kokainë me çmime të lira. Të gjithë këta përfaqësojnë grupe kriminale. Në momentin që këta kanë marrëveshje me grupe të ndryshme, nisin dhe konfliktet.”, pohoi gazetarja.

Ermal Vija: Hetimet qe nisën në 2017, Dashi ka qenë një nga 11 anëtarët e një bande që operonte në Itali. Ai kishte krijuar lidhje në Kolumbi. Ka qenë personi kryesor që operonte në Itali. Operon dhe ajo skema e pengut. Pasi bëhet një lëvizje e madhe e kokainës, një nga anëtarët e vetë të grupit kriminal, e lë në dispozicion të anëtarëve të tjerë të grupit kriminal. Më pas bëhet pagesa. Mbase mund të ketë ndodhur diçka, që nuk mund të jetë bërë pagesa.

Fatjona Medini: Pse nuk e njihnin Ergys Dashin në Shqipëri? Kjo ka të bëjë me atë gjeneratë të re, që po krijon tregje të reja të krimit. Këta janë personazhe që kanë ikur nga Shqipëria në moshë të re. Pasi kanë bërë shkollë të krimit në Itali, janë nisur në vende të tjera të BE. Shqipëria është vend i varfër dhe s’ka treg të madh të konsumimit të kokainës. Ndaj shohim shqiptarë, me ambicie të mëdha për botën kriminale, që nuk kanë lidhje me Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: