PSG-Arsenal është finalja e madhe e Champions League, Franca kundër Anglisë, Parisi kundër Londrës, dy shtete, dy kryeqytete, dy filozofi kundër njëri-tjetrit në kërkim të lavdisë, në kërkim të trofeut më të çmuar në Evropë. E vetmja gjë e përbashkët janë Luis Enrique dhe Mikel Arteta, dy spanjollë të famshëm, dikur shok te Barcelona, ndërsa më 30 maj në Budapest do të sfidojnë njëri-tjetrin.
Për PSG kjo është finalja e tretë në histori, e dyta radhazi, ndërsa për Arsenal është finalja e dytë në histori, e para pas 20 vitesh. Në letër, PSG shihet favorit absolut, kjo për disa arsye. Vijnë në këtë finale pasi i shënuan 6 gola Bayern Munich, konfirmuan se dinë të fitojnë sfida të tilla se kush shënon më shumë, por dinë të fitojnë edhe duke u mbrojtur. Më 30 maj, PSG do të shkojë i relaksuar, i fokusuar totalisht tek ai takim pasi në Francë titulli është një lojë fëmijësh.
I ndryshëm është diskutimi për Arsenal. Pavarësisht se nuk kanë humbur asnjë ndeshje në këtë edicion të Champions League, “topçinjtë” nuk e ka luksin të mendojë që tani për finalen e Champions League, në një kohë kur ekipi i Artetas është i detyruar të luftojë deri në fund në Angli për titullin në Premier League, me Man.City që i ushtron presion nga pranë. Nga Luis Enrique te Dembele, Kvara etj, PSG ka në përbërje trajner dhe lojtarë ekspert që e kanë të freskët shijen se si fitohet një finale e Champions League, këtë e di më se mirë edhe Inter.
Në çdo rast, PSG vjen në këtë finale me stolin e një ekipi super favorit, por finalja e Champions League është diçka tjetër, nuk flitet me siguri, për më tepër që deri më 30 maj ka ende shumë kohë për të bërë llogari.
