Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me kërcënimin me jetë ndaj gazetarit Osman Stafa pas publikimit prej tij të pamjeve nga protesta përpara Kuvendit.
Në reagim theksohet se rasti nuk mund të trajtohet si një episod i vetëm dhe se kjo ngjarje është pjesë e një klime gjithnjë e më armiqësore ndaj fjalës së lirë, të krijuar nga një qeveri që i përgjigjet denoncimit me presion, intimidim dhe frikësim
PD kërkon identifikimi dhe vënien përpara drejtësisë të autorit të kërcënimit; zbardhjen e lidhjes së mundshme ndërmjet kërcënimit dhe pamjeve të publikuara; identifikimin zyrtar të katër punonjësve të policisë dhe sqarimin e urdhrave mbi bazën e të cilëve kanë vepruar pa uniformë; dhe vlerësimin e rrezikut dhe garantimin e mbrojtjes së gazetarit Osman Stafa.
DEKLARATA:
Partia Demokratike dënon me forcë kërcënimin me vdekje ndaj gazetarit të Neës24, Osman Stafa, pas publikimit prej tij të pamjeve nga protesta përpara Kuvendit.
Katër personat me veshje civile të dokumentuar në pamje gjatë ndalimit të një protestuesi janë punonjës policie. Fakti që efektivë të Policisë së Shtetit ndërhyjnë pa uniformë dhe pa shenja identifikuese ndaj protestuesve paqësorë ngre shqetësime serioze për veprime të paligjshme dhe përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë.
Kërcënimi ndaj gazetarit pas publikimit të këtyre pamjeve nuk mund të trajtohet si një episod i zakonshëm. Ai duhet hetuar urgjentisht, duke përcaktuar jo vetëm autorin e mesazhit, por edhe nëse kërcënimi lidhet me ekspozimin e punonjësve të policisë dhe me veprimtarinë profesionale të gazetarit.
Kjo ngjarje është pjesë e një klime gjithnjë e më armiqësore ndaj fjalës së lirë, të krijuar nga një qeveri që i përgjigjet denoncimit me presion, intimidim dhe frikësim. Kur gazetarët kërcënohen sepse dokumentojnë sjelljen e policisë, synimi është i qartë: të heshtet media, të fshihen abuzimet dhe qytetarët të privohen nga e drejta për të ditur të vërtetën.
Partia Demokratike kërkon:
-identifikimin dhe vënien përpara drejtësisë të autorit të kërcënimit;
-zbardhjen e lidhjes së mundshme ndërmjet kërcënimit dhe pamjeve të publikuara;
-identifikimin zyrtar të katër punonjësve të policisë dhe sqarimin e urdhrave mbi bazën e të cilëve kanë vepruar pa uniformë;
-vlerësimin e rrezikut dhe garantimin e mbrojtjes së gazetarit Osman Stafa.
Heshtja ose zvarritja nga institucionet do të përbënte mbrojtje politike për kërcënuesit dhe një mesazh frikësues për çdo gazetar që guxon të dokumentojë abuzimet e pushtetit.
Partia Demokratike qëndron në solidaritet të plotë me Osman Stafën dhe me çdo gazetar që mbron interesin publik.
Narkopolicia nuk do ta fitoje betejen me fjalën e lirë!
