TIRANË- Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj ish-deputetit demokrat, aktualisht kreu i PD-së në Lushnjë, Myslim Murrizi pas përplasjes së tij sot me një efektiv rrugor, bënë me dije burime nga policia për “BalkanWeb”.

Ishte vetë ish-deputeti që publikoi videon ku një polic rrugor e ndaloi pranë “Rrugës së Elbasanit” dhe i kërkoi dokumentet pasi nga komandanti i trafikut i ishte thënë se kishte lëvizur pa rrip sigurimi. Murrizi ka shpërthyer në fyerje dhe të shara ndaj policit dhe urdhëruesit të tij, duke i quajtur disa herë madje dhe trafikantë, pasi sipas tij, ndalimi ishte me urdhër politik.

Por menjëherë pas këtij incidenti, gazetarja Dorjana Bezat tha për “BalkanWeb” se policia ka nisur procedimin penal në ngarkim të Murrizit me akuzën për veprën penale “Kundërshtim dhe fyerje ndaj punonjësit të policisë”. Burime nga policia thanë gjithashtu se në shtëpinë e ish-deputetit ka shkuar një efektiv për t’i komunikuar procedimin por nuk është gjetur në shtëpi.

Videoja e filmuar nga vetë Murrizi bëri xhiron në rrjet brenda pak orësh duke ngjallur shumë reagime. Pas kësaj vetë ish-deputeti demokrat fshiu videon nga “Facebook” si dhe deklaratat e bëra.


(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb