Kultivuesit e ullinjve në fshatrat e Mallakastrës ngrenë shqetësimin se sasi të mëdha të vajit të ullirit iu kanë mbetur pa shitur. Ndonëse ullinjtë e Mallakastrës janë shekullorë dhe vaji i tyre është i cilësisë së lartë, kultivuesit thonë se mungesa e tregut për shitjen e vajit i ka vënë përballë vështirësive ekonomike.
Kultivuesit thonë se prodhimi është tepër i bollshëm, ndaj është e nevojshme që në këtë zonë të ketë pika grumbullimi për ullinjtë, duke kërkuar nga shteti krijimin e një marke që mund t’iu hapë udhë për eksportimin e ullinjve apo vajit të prodhuar prej tyre.
Kultivuesit e ullinjve në Mallakastër thonë se kostot për ta janë tepër të larta, duke filluar nga kujdesi fillestar deri te procesi i përpunimit në fabrikë, ndërsa shpesh janë detyruar që ta shesin prodhimin nën kosto. Të indinjuar ata thonë se do ta braktisin kultivimin e ullinjve, pasi nga viti në vit po dalin me humbje.
