Nga: Roland Keta*
Po bëjmë 2 muaj nga zgjedhjet lokale dhe sot reforma administrative-territoriale nuk po sjell asnjë risi apo vizion për qytetarët shqiptarë. Sot bashkitë e reja janë në ngërç ligjor, nuk kanë autonomi vendore, çdo muaj po u hiqen kompetencat e ligjit organik 8652 të vitit 2000. Sot në ish-komunat akoma nuk janë emëruar administratorët dhe atje ku janë emëruar janë zgjedhur pa eksperiencë, pa përvojë në shërbimet e pushtetit vendor, janë zgjedhur militantë partie. Strukturat e reja janë të paqarta, nuk kanë asnjë udhëzim për funksionet që do të kryejnë. Kaluan 2 muaj të verës, korrik dhe gusht, dhe qytetarët sorollaten për shërbimet. Bizneset e vogla nuk dinë ku t’i derdhin detyrimet vendore, në ish-komuna apo në bashkitë e reja. Bujqësia është në krizë shërbimesh, nuk ka vaditje për prodhimet e tyre, askush nuk mban përgjegjësi sepse janë shkrirë komunat, nuk ka asnjë udhëzim për këtë shërbim të rëndësishëm për fermerët shqiptarë, për pasojë ka sjellë dëme të mëdha të prodhimeve bujqësore. Sot ka krizë të mbledhjeve të të ardhurave në nivel qendror dhe vendor, por qeveria nuk po reagon, të ardhurat e pushtetit vendor janë në shifrat më të ulëta të 10 viteve të fundit, kjo si rezultat i shkeljes së autonomisë vendore, duke u hequr njësive vendore të drejtën e mbledhjes së taksës së biznesit të vogël, duke ia kaluar pushtetit qendror. Dhe sot kjo krizë po thellohet nga reforma administrative, sepse këshillat vendore janë të paqartë, administrata tatimore nuk ka udhëzimet e nevojshme, a do të zbatojë vendimet e këshillave të mëparshëm për nivelin e taksave, apo do të marrin vendime të tjera për taksat e këtij viti? Ky është ngërç ligjor, që duhej të zgjidhej para se të miratohej reforma administrative, apo para zgjedhjeve lokale. Opozita i ngriti këto probleme për autonominë vendore, por nuk u morën në konsideratë. Unë kam eksperiencën time si ish-drejtues vendor dhe bëj krahasimin kur të ardhurat nga biznesi i vogël i menaxhonte pushteti vendor, niveli i tyre ishte 90-95 për qind, kurse sot janë në nivelin e 40-60 për qind, sepse menaxhohen nga pushteti qendror. Sot të ardhurat e pushtetit vendor kanë ulje, sepse qeveria ka ndërhyrë te menaxhimi i territorit, thënë më qartë, bllokimin e lejeve të ndërtimit dhe këtë e bëri edhe para 2 javëve, me vendim qeverie, edhe pse shumica e bashkive e kanë planin urban të miratuar edhe nga KKRTSH. Sot nga kjo ndërhyrje e jashtëligjshme u ka sjellë dëm ekonomik të të ardhurave njësive vendore miliona dollarë, sepse bashkitë marrin 3 për qind nga investimi nga lejet e ndërtimit. Kjo ka sjellë falimentimin e shumë bizneseve, ka shtuar papunësinë, ka ulur investimet në shkolla ujësjellës rrugësh. Kjo është krizë shërbimesh. Sot jemi në fund të gushtit, kemi 10 mijë punonjës të pushtetit vendor që nuk marrin pagat, bëhet fjalë ish- punonjësit e komunave. Një pjesë e madhe po shkarkohen dhe po zëvendësohen me militantë partie, po bëhet luftë klasash si në diktaturë, pavarësisht se punonjësit kanë statusin e nëpunësit civil, kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Sot qytetarët nga ngërçi vendor i krijuar, sorollaten për të marrë shërbimet nga fshati i banimit në qendrat e ish-komunave deri te bashkitë e reja. Kjo është kosto financiare, stres, depresion kjo është krizë shërbimi. Mendoj se duhet urgjent që Ministria e Pushtetit Vendor të nxjerrë udhëzimet, aktet ligjore për detyrat, mënyrën e funksionimit të njësive administrative. Nevojë urgjente rishikimi i ligjit 8652 31.07.200. Dhënia e autonomisë vendore bashkive të reja. Respektimi i statusit të nëpunësit civil për punonjësit e ish-njësive vendore. Ndryshime të kompetencave, duke rritur rolin e këshillave vendorë. Vetëm autonomia vendore e zgjidh krizën e shërbimeve të pushtetit vendor.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: