Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe homologu i tij bjellorus, Alexander Lukashenko, zhvilluan këtë të enjte një videokonferencë ku diskutuan mbi stërvitjet e përbashkëta bërthamore që po zhvillohen nga Rusia dhe Bjellorusia.
Gjatë deklaratës së tij, Putin theksoi se, në kushtet e tensioneve në rritje në arenën ndërkombëtare dhe shfaqjes së kërcënimeve të reja, bashkimi bërthamor mbetet një garantuese e besueshme e sovranitetit të Shtetit të Unionit Ruso-Bjellorus. Sipas tij, ajo siguron realizimin e detyrave strategjike të parandalimit, duke ruajtur barazinë bërthamore dhe ekuilibrin global të fuqisë.
Presidenti rus bëri të ditur se një nga objektivat kryesorë të ushtrimeve është lëshimi praktik i raketave balistike dhe raketave të lundrimit. Megjithatë, ai e cilësoi përdorimin e armëve bërthamore si një “masë emergjente” për garantimin e sigurisë së vendit.
Putin deklaroi gjithashtu se Rusia “nuk është e përfshirë në një garë armatimesh”, duke shtuar se Moska po vijon të bëjë përparim në zhvillimin e forcave të saj bërthamore në bazë të një plani të mirëpërcaktuar.
Sipas autoriteteve ruse, Forcat e Armatosura të Rusisë po zhvillojnë nga 19 deri më 21 maj ushtrime mbi përgatitjen dhe përdorimin e forcave bërthamore në kushtet e kërcënimit të agresionit. Stërvitjet synojnë koordinimin dhe përdorimin e përbashkët të armëve bërthamore të vendosura në Bjellorusi.
Ndërkohë, në Bjellorusi ka nisur që më 18 maj trajnimi për përdorimin luftarak të armëve bërthamore dhe mbështetjen bërthamore të njësive ushtarake.
