Autoritetet në Shkodër kanë arritur të zbardhin arsyen dhe personat që fshiheshin pas atentatit të ndodhur rreth orës 21:30 të mbrëmjes së 25 gushtit në kryeqendrën e veriut.

Atentati që ndodhi në lagjen “Partizani” ndaj 25-vjeçari Alban Bruçi, sipas Bluve të Shkodrës ka qenë derivat i një ngjarje të ndodhur dy vite më parë ku i riu ishte konfliktuar me dy autorët.

Mësohet se shtetasit T. F., 20 vjeç dhe B. Ç., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër gjuajtën në drejtim të mjetit “Audi” që drejtohej nga Bruçi duke qëlluar rreth 19 plumba, ndërsa ky i fundit ia hodhi paq dhe la automjetin për të shkuar menjëherë në polici për të kallëzuar ngjarjen.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, ngjarja e ndodhur më datë 25.08.2022, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi A. B.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të  Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i një pune të pandërprerë hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasve:

-T. F., 20 vjeç dhe B. Ç., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera për këtë ngjarje, ka rezultuar se para 2 vitesh, shtetasi A. B. është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin T. F. Ky konflikt dyshohet të jetë motivi pse shtetasit T. F. dhe B. Ç. qëlluan me armë zjarri, mbrëmjen e datës 25.08.2022, automjetin që drejtohej nga shtetasi A. B.

Vijon puna nga ana e strukturave të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e këtyre shtetasve.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, per veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb