Franca ka shprehur kundërshtimin ndaj politikës së re të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për testimin gjinor të sportisteve femra. Ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, e cilësoi këtë vendim diskriminues dhe problematik, si nga ana etike ashtu edhe financiare. Sipas rregullave të reja, IOC do të kërkojë një test gjenetik të detyrueshëm për gratë, me qëllim verifikimin e seksit biologjik.

Politika e re do të zbatohet duke nisur nga Lojërat Olimpike Los Angeles 2028 dhe praktikisht përjashton sportistët transgjinorë nga gara në kategorinë e femrave. Ferrari deklaroi se kostoja e testit arrin në disa qindra euro dhe mund të rëndojë mbi vetë sportistet, sidomos ato me të ardhura të ulëta. Ajo ngriti shqetësimin se kjo krijon pabarazi sociale dhe diskriminim ndaj grave.

Ministrja kujtoi se IOC kishte hequr testet gjinore para Olimpiadës së Sidneit 2000, pasi vlefshmëria shkencore e tyre nuk ishte provuar. Megjithatë, ajo pranoi se në sporte me kontakt fizik të fortë, si boksi apo regbia, mund të ekzistojnë raste të veçanta që kërkojnë vlerësim individual. Franca thekson se ligjet e saj për bioetikën ndalojnë testimet gjenetike, përveç rasteve mjekësore ose shkencore, duke e bërë të vështirë zbatimin e politikës së re të IOC.

Probleme të ngjashme ligjore pritet të hasen edhe në vende të tjera si Norvegjia dhe Australia. IOC ka sugjeruar që sportistët nga vendet ku testet janë të ndaluara të kryejnë kontrollet jashtë shtetit. Organizata ka premtuar gjithashtu më shumë sqarime dhe diskutime me komitetet olimpike gjatë muajve në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb