Qeveria e përkohshme e Spanjës pritet të miratojë sot dy dekrete të reja për strehimin, të cilat ishin rrëzuar nga parlamenti dhe u bënë një nga shkaqet e krizës politike që pasoi, përfshirë dorëheqjen e qeverisë së Pedro Sanchez. Sipas televizionit shtetëror TVE, dekretet do t’i paraqiten më pas për miratim një organi të kufizuar ligjvënësish që ushtron përkohësisht funksionet parlamentare pas shpërbërjes së parlamentit, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 29 nëntorit.
Masat përfshijnë kufizime për rritjen e qirave, një ndalim të përkohshëm të dëbimeve nga banesat dhe kufizime për blerjen e pronave rezidenciale nga korporatat. Paketa u propozua nga qeveria Sanchez pas protestave të zhvilluara në vend, të nxitura edhe nga tentativa për dëbimin e një gruaje 87-vjeçare në Madrid. Të premten e kaluar, opozita votoi kundër masave, duke thelluar krizën politike dhe duke çuar në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Në të njëjtën kohë, dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e qyteteve spanjolle për të protestuar kundër krizës së strehimit.
Organi i përkohshëm ligjvënës, i përbërë nga 69 anëtarë, pritet të shqyrtojë dekretet e reja. Sipas TVE, masat do të hyjnë në fuqi përkohësisht dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në formimin e parlamentit të ri pas zgjedhjeve. Ministri i Kulturës, Ernest Urtasun, deklaroi se dekretet do të pësojnë disa ndryshime të vogla, por nuk priten ndryshime thelbësore krahasuar me paketën e miratuar më parë nga qeveria.
“Sa i përket mbrojtjes, ato me siguri do të jenë në të njëjtin nivel, ose edhe do të tejkalojnë atë për të cilën ramë dakord herën e fundit”, deklaroi ministri. Ndërkohë, Pedro Sanchez pritet të mbajë një konferencë për shtyp pas mbledhjes së kabinetit. Ai ka deklaruar se qeverisë i nevojitet një mbështetje më e madhe parlamentare për të zbatuar masat që synojnë përballimin e krizës së strehimit.
