Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kritikuar ashpër aktin normativ për ndryshimet në buxhet, duke akuzuar qeverinë se nuk po vendos prioritetet e duhura për qytetarët.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, Blushi e cilësoi seancën si “një nga më të hidhurat” dhe ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si janë shpërndarë fondet, duke u ndalur te akordimi i 4.3 milionë eurove për koncertin e Kanye West.
“Edhe unë, si kolegët e opozitës, jam i shqetësuar për nevojat dhe urgjencën reale të këtij akti. Ju, zoti ministër, deklaruat në seancë plenare se do të kishte 0 lekë nga Buxheti i Shtetit për cirkun e Kanye West, por në fund u akorduan 4.3 milionë euro”, tha Blushi.
Ai ngriti pikëpyetje mbi fondet e parashikuara për institucione të ndryshme, duke krahasuar investimet për rikonstruksione godinash me nevojat sociale dhe shëndetësore.
“Ju i akordoni SPAK-ut 200 milionë lekë për rikonstruksion godinash dhe 100 milionë lekë për ish-të përndjekurit. Nuk besoj se një godinë e rikonstruktuar është më emergjente se ish-të përndjekurit”, u shpreh ai.
Sipas Blushit, qeveria ka lënë pas dore rritjen e pagave të mjekëve, shërbimet shëndetësore dhe pajisjet e nevojshme në spitale.
“Akordoni 200 milionë lekë për rikonstruksion ambientesh, por vetëm 150 milionë lekë për rritje pagash. Kush është emergjenca? Rritja e pagave të mjekëve apo rikonstruksioni i një godine?”, deklaroi deputeti.
Ai kritikoi gjithashtu fondet për zjarrfikësit, duke thënë se shuma e akorduar është shumë më e ulët krahasuar me fondet për koncertin e Kanye West.
“Ju thatë se kemi akorduar 114 milionë lekë për zjarrfikësit, por kjo shumë është sa një e katërta e shumës që i falët Kanye West. Emergjencë janë zjarret në këtë vend apo ishte cirku i Kanye West?”, pyeti Blushi.
Deputeti u ndal edhe te situata në spitale, duke përmendur mungesën e barnave dhe pajisjeve mjekësore.
“QSUT publikon lista me pajisjet e domosdoshme dhe u drejtohet qytetarëve, sepse ka kapitulluar mbështetja e qeverisë. Edhe QSUT-ja e di që prioritet për qeverinë nuk janë pacientët dhe njerëzit në nevojë”, tha ai.
Blushi ngriti shqetësime edhe për menaxhimin e emergjencave nga zjarret, duke akuzuar qeverinë se prej vitesh premton blerjen e avionëve për shuarjen e tyre, por ende nuk ka një të tillë.
“Emergjencë është fakti që zjarret kanë filluar edhe këtë vit dhe qeveria ende nuk ka një avion për t’i fikur. Prej dy apo tre vitesh deklaroni se do të blini avionë, por as këtë vit nuk keni parashikuar fond për të blerë qoftë edhe një avion”, tha ai.
Në fund, deputeti akuzoi mazhorancën se po kërkon të miratojë në Kuvend vendime që sipas tij janë marrë më herët.
“Do të na vijë të miratojmë diçka që ka ndodhur. E keni bërë koncertin, keni dhënë lekët dhe tani kërkoni votën në Komision. Këto janë marrëzira akoma më skandaloze. Emergjencë për ju janë inceneratorët, koncertet dhe rrugët, jo spitalet, ilaçet apo pajisjet për fikjen e zjarreve”, përfundoi Blushi.
Deklarata e Blushit:
Kjo është një nga seancat më të hidhura të këtij Komisioni, megjithatë për të kaluar tek pyetjet konkrete, sigurisht që edhe unë si kolegët e opozitës jam i shqtësuar për nevojat dhe urgjencën reale të këtij akti.
Për më tepër në kushtet kur ju Z. Ministër edhe nga seanca plenare deklaruat që 0 lekë nga Buxheti i Shtetit për cirkun e Kanye West dhe u akorduan 4.3 milionë euro si përfundim.
Megjithatë, për të kaluar te shifrat konkrete të këtij akti normative, nuk e di mbi c’llogjikë financiare është ndërtuar ky akt, por unë shoh që i keni akorduar SPAK- ut 200 milionë lekë për rikostruksion godinash dhe akordoni 100 milionë lekë për ish-të përndjekurit.
-Nuk besoj, kush është më emergjente, ish të përndjekurit apo një godinë e rikonstruktuar?
– Akordoni 200 milionë lekë për rikostruksion ambientesh, por vetëm 150 milionë lekë për rritje pagash, kush është emergjenca e këtij akti normativ?
Rritja e pagave të mjekëve apo është emergjencë rikostruksioni i një godine?
Ju thatë me të drejtë që kemi akorduar 114 milionë lekë për zjarrfikësit, por kjo shumë është as sa 1 /4 e shumës që ju i falët Kanye West.
-Emergjenca janë zjarret në këtë vend apo emergjencë është apo ishte më saktë, cirku i Kanye West?
Pra kush është nevoja dhe urgjenca që kanë sot shqiptarët?
Dhe besoj se nevoja dhe urgjenca që kanë sot shqiptarët janë mungesa jo vetëm e barnave, por QSUT publikon një listë me pajisjet e domosdoshme, sepse ka kapitulluar mbështetja e qeverisë, deri sa i drejtohet qytetarëve, shqiptarëve edhe QSUT-ja e di që prioritet për qeverinë nuk janë as pacintët dhe as njerëzit në nevojë.
Po kur shoh këtë letër dhe kur shoh faktin që ju akordoni vetëm 150 milionë lekë për rritje pagash…
A mund të ma shpjegoni edhe njëherë cila është për ju urgjenca dhe cfarë është për ju si Ministri urgjencë?
Urgjencë janë njerëzit, janë shërbimet publike apo janë koncertet, godinat?
A është emergjencë për ju fakti që zjarret kanë filluar edhe këtë vit dhe që qeveria ende nuk ka një avion për të fikur zjarret?
Kjo është emergjencë!
Sepse prej të paktën 2 apo 3 vitesh, në këtë Komision apo edhe jashtë këtij Komisioni, Ministrat, pra përfshi Ministrin e Financave apo të Mbrojtjes, deklarojnë që këtë vit është e sigurt do blejmë 2 – 3 avionë.
As këtë vit nuk keni parashikuar një fond për të blerë qoftë edhe një avion për të fikur zjarret.
Kur ndërkohë akordoni 200 milionë lekë për rikostruksion godine.
Akordoni vetëm 114 milionë lek për zjarrfikësit, të cilët pastaj i fikin zjarret me shkurre, me mjete rrethanore.
Ata janë heronj, se bejnë vërtet një punë të jashtëzakonshme, sepse janë braktisur nga ju.
Tani në qoftë se nuk është urgjencë Onkologjiku, në qoftë se nuk është urgjencë QSUT-ja, në qoftë se indeksimi i pensioneve është sa 1 /2 e fondit që ju i akorduat Kanye West, në qoftë se fondet e akorduara për fëmijët me aftësi të kufizuara janë sa 2 /3 e fondeve që ju i dhatë Kanye West, na thoni ju kush është emergjenca?
Pra po i referohem vetëm asaj cfarë keni shkruar ju në relacion.
Dhe ndërkohë sipas jush do na vijë të miratojmë dicka që ka ndodhur , pra e keni bërë koncertin, keni dhënë lekët dhe kërkoni votën në Komision.
Këto janë marrëzira akoma edhe më skandaloze.
I bëni aktet, tjetri ka marrë lekët dhe ka ikur, tani na kërkoni ne që hajde na i ligjëroni këtë punën e këtyre parave që shpërndamë se në fakt kjo ishte emergjenca, nuk ishte emergjencë as spitalet, as ilacet, as mungesa e pajisjeve tek Onkologjiku, as mungesa e pajisjeve për fikjen e zjarreve.
Sigurisht emergjencë për ju janë inceneratorë, koncerte, rrugë etj
