Ish-ministri i Brendshëm dhe ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani, duke folur për protestat që bëhen për shkak të vrasjes nga policia të Klodian Rashës, deklaroi se dëshmon revoltën e rinisë ndaj abuzimit qeveritar.

Nishani tha se shteti shqiptar ka degraduar, duke shtuar se qytetarët vidhen përditë e prandaj mllefi ka arritur kulmin.

“Si qytetar dhe shqiptar dua të shpreh ngushëllime për familjen që kanë humbur djalin. Ka reagim masiv të kuptueshëm. Është vrasje makabre, e një të riu në pragun e shtëpisë, vetëm se nuk ka respektuar rregullat anti-Covid. E shoh revoltën si pjesë të një akumulimi të shqiptarëve, që janë vrarë nga kjo qeveri.

Rinia është pjesa që e shpreh më drejtpërdrejtë se të gjithë. Shteti shqiptar ka degraduar. Shqiptarët kërkojnë punë, por paratë shkojnë për një grup njerëzish. Shkojnë shqiptarët në spitale, e ndjejnë veten të vjedhur, kudo e ndjejnë veten të vjedhur. Qytetarët e kanë ndjerë veten të poshtëruar”, tha Nishani.

Bujar Nishani theksoi se në protestat për vrasjen e Klodianit nuk pamë asnjëherë që demonstruesit të shkatërrojnë pronën publike, por kanë qenë të vendosur të mësyjnë vetëm institucionet shtetërore, ku ata besojnë se prodhohet e keqja.

“Jemi në një situatë të rëndë dhe në një moment mllefi doli publikisht nga rinia. Të gjitha ata që flasin për dhunë, duke etiketuar qytetarët si dhunues, ose janë spekulant ose janë bashkëpunëtor të keqes që iu është bërë shqiptarëve përditë. Kryeministri sot iu ka thënë të rinjve “terroristë”.

Ramës i ka degraduar logjika. Ka disa ditë që ka revolta në Tiranë dhe nuk ka pasur makina të thyera apo biznese nuk janë shkatërruar. Asnjë ekses i shprehjes së forcës nuk do të ishte i mirë. Nuk ka asnjë akt vandalizmi ndaj pronës publike, por shënjestër e tyre janë objektet qeveritare, sepse aty prodhohet e keqja”, deklaroi Nishani.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb