Qëndresa e qytetarëve dhe aktivistëve përpara godinës së Kryeministrisë ka vijuar me akuza të ashpra e me ton të prerë ndaj kabinetit qeveritar. Gjatë fjalës së mbajtur në shesh, protestuesit kanë theksuar se aksioni i tyre nuk ka të bëjë thjesht me numrin e ditëve të qëndresës, por me faktin se vendi po drejtohet nga një administratë që ka vendosur “rekord Guinness” për vjedhje masive e korrupsion galopant.

Nga foltorja përballë zyrës së kryeministrit, një prej protestuesve renditi me prova konkrete skandalet e njëpasnjëshme që kanë goditur hierarkinë më të lartë të ekzekutivit dhe të pushtetit vendor.

“Ne nuk po protestojmë për jetëgjatësi të protestës, por se kemi qeveri që ka thyer rekord Guinness duke bërë vjedhje masive! Këtë e kemi me prova konkrete! Kemi dy zëvendëskryeministra, një në kërkim ndërkombëtar dhe tjetra që pritet t’i jepet urdhër-arresti për organizata kriminale dhe vjedhje. Janë dy zëvendësit e tu! Kemi kryetarin e bashkisë së kryeqytetit në burg, kemi anëtarë të Komisionit të Ligjeve në përgjime për vjedhje votash dhe pjesëmarrje në organizata kriminale,” deklaroi ai para të pranishmëve.

Protestuesi u ndal edhe te retorika e vazhdueshme e kryeministrit Edi Rama, i cili pas çdo goditjeje të drejtësisë ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të afërt deklaron publikisht se “përgjegjësia është individuale”.

Sipas protestuesve, pas çdo strukture korruptive e skandali shtetëror qëndron përgjegjësia direkte politike dhe ligjore e vetë shefit të qeverisë.

“Kryeministri fshihet pas gishtit dhe thotë përgjegjësia është individuale. Në fakt ka të drejtë, përgjegjësia është individuale dhe ai individ është Edi Rama!” përfundoi fjalën e tij protestuesi përpara godinës së Kryeministrisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb