Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në programin e drekës në News24, ka folur mbi situatën e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe diskutimet në Kuvend për projekt-rezolutën “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Boçi u shpreh kritik ndaj qeverisë, duke deklaruar se arsimi në vend ndodhet në “nivele mjerane” dhe se Shqipëria nuk përmbush standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
“Në raport me arsimin jemi në nivele mjerane, nuk përmbushim asnjë kusht. BE kërkon që kërkimi shkencor të financohet me 3% të PBB-së, ndërsa ne jemi realisht në 0.06%,” tha ai.
Sipas tij, raportet e qeverisë nuk pasqyrojnë realitetin dhe përdoren për qëllime politike. “Kur kemi një raport të qeverisë që nuk pasqyron realitetin, nuk është i dobët, por i ndërtuar me mashtrim,” u shpreh Boçi.
Deputeti i PD shtoi se opozita ka detyrimin të pasqyrojë situatën reale në vend, duke përmendur edhe probleme në drejtësi dhe klimën për investitorët e huaj.
Ai ngriti akuza edhe për përdorimin e burimeve shtetërore në fushata elektorale nga mazhoranca, duke pretenduar se fonde publike dhe interesa të caktuara ekonomike ndikojnë procesin zgjedhor.
Duke folur për rezolutën e integrimit, Boçi tha se ajo pasqyron qëndrimet e opozitës dhe synon të përcjellë një mesazh për Brukselin se ekziston vullnet politik për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Rezoluta reflekton amendimet dhe shërben si mesazh për Brukselin se opozita ka vullnet për integrimin, pavarësisht propagandës së mazhorancës,” deklaroi ai.
Boçi shtoi se mazhoranca po përpiqet të përdorë qëndrimet e opozitës për të mbuluar problematika të tjera, ndërsa theksoi se procesi i integrimit duhet të bazohet në realitet dhe jo në propagandë politike.
