NGA:ORNELA MANJANI*TIRANE- Qeveria vendos çmimin-dysheme për qiratë në Tiranë dhe në të gjitha rrethet, për ambientet që përdoren për qëllim biznesi dhe për banesa. Në çdo rast, vlera e qerasë së një ambienti nuk mund të jetë më e vogël se 0.3 për qind e çmimit të shitjes së saj. Ndërkohë, tatimi mbi çdo ambient të dhënë me qira do të llogaritet përmes një formule që do të bazohet sipas natyrës së objektit, vendndodhjes së tij dhe çmimeve-referencë të përcaktuara nga qeveria. Përmes një formule të re, Këshilli i Ministrave përcakton si çmim-referencë vlerën minimale të qirasë mujore për 1 m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit në qytetin ku ndodhet objekti, e cila në çdo rast do të jetë jo më e vogël se 0.3 për qind e çmimit të shitjes së saj. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë të bërë nga vetë qeveria, del se vlera minimale e qirasë mujore e një apartamenti, të dhënë me qira, me sipërfaqe 70 m2, është detyrimisht jo më pak se 39.900 lekë në muaj në qytetin e Tiranës.

Vendimi
Këshilli i Ministrave përcakton vlerën minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllim banimi. Sipas VKM-së nr.469, datë 3.06.2015, për caktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllim tatimi, mësohet se vlera e dhënies me qira të ndërtesës përcaktohet në kontratën e noterizuar të qirasë, sipas legjislacionit të fushës. Në kontratë, veç të tjerave, duhet detyrimisht të përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja në metër katrorë dhe vlera mujore e qirasë së objektit. Sipas VKM-së, vlera minimale mujore për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira është e barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.

Llogaritja për banesat
Në shtojcën që i bashkëlidhet vendimit, Këshilli i Ministrave ka llogaritur vlerën e qirasë për dy raste, me të cilat ilustron edhe ndryshimet ligjore. “Supozojmë se çmimi i shitjes për metër katror të një apartamenti banimi në qytetin e Tiranës është 190.000 lekë dhe sipërfaqja e këtij apartamenti është 70 m2.
Vlera minimale e qirasë mujore për çdo metër katror, në këtë rast, është 190.000 x 03% = 570 lekë për metër katror. Vlera minimale e qirasë mujore për këtë apartament të dhënë me qira është: 70 m2 x 570 lekë për metër katror = 39.900 lekë në muaj”, thuhet në shembullin e parë. “Supozojmë se çmimi i shitjes për metër katror të një apartamenti banimi në periferi të qytetit të Tiranës është 81.000 (tetëdhjetë e një mijë) lekë dhe sipërfaqja e këtij apartamenti është 70 m2. Vlera minimale e qirasë mujore, për çdo metër katror të këtij apartamenti, është: 81.000 x 03% = 243 lekë për metër katror. Vlera minimale e qirasë mujore për këtë apartament të dhënë me qira, është: 70 m2 x 243 lekë për metë katror 17.010 lekë në muaj”, përllogaritet në shembullin e dytë.

Kontrata noteriale
Noterët duhet të deklarojnë në Drejtoritë Rajonale Tatimore përkatëse, brenda datës 15 korrik 2015, listën e kontratave të qirave në fuqi, të lidhura ndërmjet personave të ndryshëm, pavarësisht nga statusi i tyre. Në vijim, lista e kontratave të qirasë, të lidhura gjatë çdo muaji, të dërgohet nga zyrat e noterive brenda datës 5 të muajit pasardhës, në Drejtoritë Rajonale Tatimore përkatëse. Në çdo rast, lista e kontratave të qirave të përmbajë numrin e kontratës së lidhur, datën e lidhjes, emrin e qiradhënësit dhe numrin e tij të identifikimit, emrin e qiramarrësit dhe numrin e tij të identifikimit, vlerën mujore të qirasë dhe afatin e kontratës.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: