Gazeta prestigjioze britanike The Guardian i ka kushtuar një analizë të gjerë protestave që prej më shumë se një muaji po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si shpërthimin më të madh të pakënaqësisë qytetare në Shqipëri që nga rënia e regjimit komunist, më shumë se tre dekada më parë. Sipas gazetës, ajo që nisi si një protestë për mbrojtjen e rezervatit natyror të Zvërnecit dhe mbi 2.500 specieve që ai strehon, është shndërruar në një lëvizje të gjerë qytetare, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila tashmë sfidon drejtimin politik dhe modelin e zhvillimit të vendit.
Në analizë thuhet se zemërimi i qytetarëve lidhet me projektet shumë miliardëshe turistike të mbështetura nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, të cilat, sipas kritikëve, rrezikojnë një nga zonat më të paprekura të bregdetit shqiptar, përfshirë Zvërnecin, lagunën e Nartës dhe ishullin e Sazanit. Protestuesit shprehin gjithashtu shqetësim për mungesën e transparencës që ka shoqëruar këto projekte. Edhe pse qeveria shqiptare ka deklaruar se marrëveshjet nuk janë finalizuar ende, publikimi i pamjeve ku shfaqen mjete të rënda në zonën bregdetare ndezi valën e protestave masive.
The Guardian shkruan se kërkesat e protestuesve tashmë kanë kaluar përtej mbrojtjes së mjedisit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili siguroi mandatin e katërt në zgjedhjet e vitit të kaluar, ku pjesëmarrja ishte rreth 45 për qind. Gazeta citon edhe deklaratën e Ramës se “nuk ka absolutisht asnjë mundësi që investimi të ndalet për sa kohë që unë jam këtu”, ndërsa kujton se kryeministri i ka mbrojtur vazhdimisht investimet e huaja si të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, sipas analizës, shumica e qytetarëve nuk kundërshtojnë investimet, por mënyrën se si po zhvillohen ato, duke kërkuar më shumë transparencë dhe mbrojtje të interesit publik.
Artikulli vëren se, ndërsa Rama paraqitet në arenën ndërkombëtare si një lider reformator që po modernizon Shqipërinë, kritikët e tij flasin për një “demokraci me buldozerë”, ku zhvillimi ekonomik shihet si prioritet në kurriz të ligjit, mjedisit dhe qytetarëve. Sipas gazetës britanike, kryeministri ia ka atribuar reagimet ndaj projektit ndjenjave kundër Donald Trumpit, por protestuesit e mohojnë këtë, duke theksuar se pakënaqësia e tyre buron nga korrupsioni, mungesa e llogaridhënies dhe zhgënjimi si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj opozitës. Analiza rikujton se projekti në Zvërnec u bë i mundur pas ndryshimeve ligjore të vitit 2024, të cilat lejuan ndërtimin e resorteve me pesë yje në zonat e mbrojtura. Për shumë qytetarë, kjo përfaqëson një shembull të qartë të vendosjes së interesave private mbi pasuritë publike.
Gazeta citon edhe një prej protestuesve, i cili shprehet: “Kanë kaluar më shumë se 30 vjet dhe spitalet tona janë ende në gjendje të keqe, arsimi është i dobët, nuk ka vende pune dhe të gjithë po largohen. Kemi mësuar nga përvoja se projekte të tilla përfitojnë vetëm një pakicë e pasur.”. Në fund, The Guardian vëren se protestat në Shqipëri kanë ngjashmëri me lëvizjet qytetare kundër korrupsionit dhe klientelizmit në rajon, ndërsa thekson se shumë të rinj shqiptarë që jetojnë jashtë vendit janë rikthyer për t’iu bashkuar demonstratave.
Artikulli përmend gjithashtu reagimet e eurodeputetëve, të cilët kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe kanë paralajmëruar se projekti mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “The Guardian” e mbyll analizën duke theksuar se kjo nuk është vetëm një betejë për mbrojtjen e natyrës, por një provë për mënyrën se si Shqipëria zgjedh të zhvillohet dhe nëse ky zhvillim do t’u shërbejë qytetarëve apo vetëm një pakice të privilegjuar.
