Nga: NDRIÇIM MEHMETI*
Ditët e fundit vendi ynë është përfshirë prej përmbytjeve, që kësaj radhe kanë ndryshuar gjeografinë e tyre. Prej veriperëndimit e veriut siç ishim mësuar në vitet e fundit, këtë fillimviti ato u zhvendosën në jug dhe jugperëndim të vendit. Ndërsa është afërmendsh se nuk e kemi në dorë të bëjmë zap motin, reshjet, intensitetin e tyre, kemi në dorë të tregojmë se njeriu është ai që Zoti dhe natyra e kanë si përfaqësuesin e tyre në tokë, për të treguar sa dhe si mund t’i përballojë këto fatkeqësi. Natyrisht që njeriu i vetëm nuk mund të bëjë mrekullira, prandaj prej shpellës ai doli dikur së bashku me gjendjen e tij për të mos u fshehur prej natyrës, por për t’i bërë ballë asaj. Mësoi të ndërtojë një shtëpi, më pas kur ju përmbyt e ngriti mbi hunj, duke sfiduar me dijet e tij, motin e egër dhe të pakontrolluar. Pastaj diti të bëjë edhe prita, ashtu si mundi për të mos lejuar që mundi i punës së tij në një vit apo sezon dhe ushqimi i familjes të shkonte dëm. Jeta u dha një përvojë të shkëlqyer njerëzve, jo vetëm si ta bënin zap ujin, por edhe si ta përdornin në të mirë të tyre, për lundrim, peshkim, vaditje, të pemëve dhe për të shuar etjen ai, familja fshati e më pas gjithë njerëzimi. Natyrisht që këto përpjekje të filluara me shumë droje, u kthyen më pas në një sfidë të njeriut me natyrën, kur kjo e fundit jo ka herë e vinte në vështirësi e njeriu gjithnjë përpiqej t’i paraprinte çdo të papriture, pa ardhur e keqja tek dera.
Në kohët e lashta ajo që bie më shumë në sy prej mbretërive e shteteve të zhvilluara, janë punimet e irrigacionit që më thjesht quhen hapja dhe mirëmbajtja e kanaleve të ujitjes dhe kullimit. Cilido prej shtetarëve e fillonte dhe e mbaronte punën aty, pa harruar natyrshëm edhe çështjet e tjera që kishin nënshtetasit e tij. Në punimet për kanalet e ujërave aktivizoheshin forcat më të shumta, më muskuloze dhe natyrisht derdheshin edhe shuma të konsiderueshme. Prej kësaj tradite të mirë ende shtetet që kanë një luftë të përhershme me kapriçot e natyrës apo për shkak të pozitës së tyre gjeografike po përsosin metodat për parandalimin e fatkeqësive të ardhura prej vërshimit të ujërave. Holanda në mënyrë të veçantë ka një traditë shumë shekullore në përballimin e këtyre problemeve. Territori i saj është 50 nën nivelin e detit, kështu që kontrolli i vërshimit të ujërave është problem i përhershëm. Në Shqipërinë tonë të vogël dhe me shumë pak vëmendje në këtë fushë, duket se mungojnë të gjitha masat që duhen në kësi rastesh. Në të kundërt të kësaj, shteti ka fonde të shkurtuara për kanalet kulluese, pamjaftueshmëri të mjeteve dhe infrastrukturës për të përballuar gjendjen dhe së fundi që ndoshta është më e rëndësishmja, faktori njeri-qeveri. Njeriu-qeveri në këtë vend ka më shumë dëshirë të largojë veten prej asaj që ndodh sesa të përballojë realitetin. Njeriu-qeveri ka dy qëndrime, dy fytyra e shumë justifikime, të cilat përdoren sipas rastit. Nëse është në një debat televiziv njeriu-qeveri, e ka të lehtë të sulmojë këdo për të dalë nga situata. Të parin kundërshtarin, të dytin fshatarin që nuk e paskërka kuptuar mirë, e së fundmi edhe gazetarët, që “po jua vështirësojnë punën e tyre të palodhshme”. Argumentet njeriu-qeveri i ka të pakundërshtueshme. “Ishte një shi me një intensitet të jashtëzakonshëm”, “nuk kishte ndodhur kështu që prej vitit 1971”, “edhe vende më të fuqishme e moderne se ne si Bullgaria, Burundi, Zambia e Turqia u përmbytën dhe se përballuan këtë lloj shiu”.
Pastaj gënjeshtra që thuhet dhe besohet prej vetë njeriut-qeveri, kryeministër, prefekt, kryetar emergjencash, deputet, është: “Do të përballojmë situatën e parë dhe pastaj do të bëjmë investime sa nuk janë bërë që prej kohës së Adil Çaranit e deri në kohën e Aleksandër Meksit e Ilir Metës kryeministër”. Nëse dëgjon të gjitha këto, të shkon në mendje dialogu i nënës me bijën e saj që sapo ishte martuar. “Hë moj bijë, si po ja kalon tek shtëpia e burrit? Me ato që dëgjoj lum si unë moj nënë, por me ato që më shohin sytë e mjera unë”. Paratë e shkurtuara të buxhetit, lënia në dorë e gjithë menaxhimit të një situate të pranuar si shumë të rëndë, tek ministri i Bujqësisë, shfaqja e kryeministrit si kofini pas të vjelit, flasin më shumë se mburrjet e investimeve gjigante që u thyen që një goditjen e parë të një përroi jo shumë të zemëruar. Shiu ra dhe gjeti vetëm banorët e ngratë të fshatrave, barinjtë e gratë të lemerisura që mbanin fëmijët në prehrin e tyre, për të mos parë llahtarin që po u hynte në shtëpi. Shiu ra po nuk u pa askund njeriu-qeveri. Në një sallë të ngrohtë me regji të shkëlqyer, njeriu-qeveri, kishte përgatitur fjalimet e matrioshkave-ministra kundër korrupsionit. Portali antikorrupsion kishte më rëndësi se fshati Darëzez, Novoselë, Ferras, e me radhë. Po kështu kishte shumë rëndësi që të njoftohej se ministrja e Arsimit kishte kapur “çë fësht” një drejtoreshë me probleme dhe e kishte shpëtuar arsimin përfundimisht nga “marrëzia”, “arroganca” e “korrupsioni”. Ndërsa shkolla e fshatit Fitore në Novoselë, tërësisht e përmbytur nuk ka ndonjë rëndësi. E në kësi rastesh nuk është e tepërt ta shkruash ashtu siç është thënien për njeriun-qeveri, se “Stambolli digjet e kurva krihet”. Njerëzit dilnin dhe thoshin një gjë, që përmblidhte tek fjalia, “Ra ky shi dhe s’u pamë”. Ata kanë menduar se sado e egër të jetë koha, shteti do të përpiqet të bëjë detyrën ndaj qytetarëve të vet. Ata prisnin që deputetët e tyre, biznesmen, mjekë, inxhinierë, gazetarë, e madje edhe kryeministri që ka dalë nga ajo zonë, do të ishte në ballë të situatës. Por në fakt ata u përballën vetë dhe kur e panë se këtë herë natyra u tregua më e ashpër dhe më e fortë se ata, braktisën gjithçka për të shpëtuar kokën. Gjithsesi shteti vuri dorën në zemër dhe çoi për herë të parë, po për herë të parë, ama, zjarrfikësit që t’u pastrojë shtëpinë. Ky është shteti që do ta dëshironte edhe vetë zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden. Ky i fundit u gjobit pse nuk pastroi dëborën tek shtëpia e tij, ndërsa ne i themi njerëzve: “Dridhni nga një cigare shoqëruar me një kafe, sa t’u pastrojë ne shtëpinë në prani të kryeministrit. Për të tjerat dilini zot vetes se shteti bën, aq sa të marrin kamerat që po punojmë, e t’i vendosin në kronikë. Qytetarët që ankohen? Njerëz gënjeshtarë që nuk ja dinë kimetin atyre që i qeverisin”.
Fshatarë, qytetarë, fermerë, barinj, fakir fukarenj, nëna të sëmura e gratë pa burrë, fëmijë pa shkollë, pa këpucë dhe me këmbët në ujë, nuk vlejnë asnjë grosh, para veprimtarive antikorrupsion në salla të ngrohta të njeriut-qeveri, pezmit të tij të shfaqur me fytyrën e ngrysur e të pa ruajtur dhe me jakën e zezë të ngritur. Të gjithë, në Vlorë, Fier, Berat, Korçë, Pogradec e në qytete të tjera, donin të kishin pranë në këto ditë të vështira, njerëzit që ata i kishin besuar ruajtjen e të mirave të derisotme dhe projektimin e një të ardhme më të mirë. Por ra ky shi dhe ata s’u panë. Deputetët e rregulluar mirë, hekurosur dhe xhelatosur, nuk e morën mundimin të lëviznin me makinat e tyre të shtrenjta, drejt atyre që i çuan në tempullin më të lartë të demokracisë. Ra ky shi dhe makinat e tyre hijerënda nuk u panë. Mbase lloji i makinave të deputetëve tanë “shërbëtorë të përunjur të popullit”, nuk e durojnë dot shiun, ndërsa në diell, dalin më në pah, format e tyre elegante. Më parë qeveria i bënte mbledhjet formale dhe informale në hotelet buzë detit të Vlorës. Kryeministri i pari, e ministrat me shpurën e tyre shikoheshin nën vëzhgimin e kujdesshëm të kamerave, të shkopsitur duke tërhequr valixhet me një dorë e duke mbajtur fort dosjet e së ardhmes së vendit “të përvuajtur e rrënuar”. Ata starpacoheshin ditë e natë, duke projektuar të ardhmen e vendit që do të lulëzonte në pak ditë. Dhe e gjithë kjo maskaradë që sigurisht ishte e përgatitur si gjithnjë me regji, bëhej në mes të Vlorës. Por ato kohë duken të largëta. Ra ky shi dhe autobusi që dikur çante kryq e tërthor rrugët e Shqipërisë “me shpresën e ringjalljes së vendit nga agonia”, nuk arriti dot të kalojë as urën e Mifolit.
Ra ky shi dhe ata nuk panë kurrkund.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb