Një mesazh i fortë mbështetjeje ka ardhur nga SHBA për protestuesit që mbushin sheshet prej 46 ditësh. Gjatë tubimit të sotëm, një prej protestuesve ka lexuar publikisht një deklaratë zyrtare të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), e cila rreshtohet krah qëndresës popullore.
Përpara se të lexonte dokumentin, qytetari i ka drejtuar një paralajmërim të prerë kreut të qeverisë: “Rama bëj gati pizhamet, të pret burgu.”
Më pas, ai ka përcjellë qëndrimin e plotë të organizatës historike shqiptaro-amerikane:
“Për më shumë se 3 dekada Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka qëndruar e palëkundur në misionin e saj për të promovuar demokracinë, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të avancuar interesat shqiptare. LQSHA qëndron në krah të qytetarëve që mbrojnë interesat shqiptare dhe kundër atyre që i dëmtojnë këto interesa. Kemi mbrojtur sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e qytetarëve përmes mjeteve paqësore e demokratike. LQSHA po ndjek demonstratat patriotike e paqësore ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama duke kërkuar transparencë, liri e të drejta demokratike.”
