Galeria gjermane ‘Kampl’ në Mynih nga data 11 shtator deri në 10 tetor do të ekspozojë 78 piktura të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili edhe pse në krye të qeverisjes së vendit, duket se pasionin e tij të hershëm për pikturën nuk e ka lënë pas dore. Galeria në fjalë ka njoftuar se në harkun kohor të një muaji publiku gjerman, por jo vetëm, sepse edhe ata që janë të interesuar mund të shkojnë ta vizitojnë këtë galeri, do të hapë dyert për të ekspozuar punimet e kryeministrit piktor.

Në faqen “online” të saj janë publikuar 78 krijimet e Ramës të përzgjedhura për t’u ekspozuar. Pjesa dërmuese e vizatimeve të kryeministrit janë krijuar mbi fletët e axhendës së tij të punës, apo ftesave të ndryshme për pjesëmarrje në aktivitete, gjatë një periudhe gati 12-vjeçare nga viti 2003 deri në 2015.

Ajo që bie në sy është fakti që punimi i parë që do të ekspozohet është ai i hedhur mbi një kërkesë për t’u takuar në kohën kur ai ishte në krye të Bashkisë së Tiranës nga ministri i asaj kohe i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Vetëm pak muaj më parë të po këtij vitit, një tjetër muze prestigjioz po në Gjermani, në Berlin, prezantoi 115 piktura të kryeministrit Edi Rama.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: