TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se seanca parlamentare e së nesërmes do të jetë një çështje e rëndësishme për opozitën, duke iu referuar edhe Reformës Territoriale.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndryshimet territoriale synojnë, sipas tij, forcimin e pushtetit politik dhe elektoral të mazhorancës.
Ai e kundërshtoi projektin për ndarjen territoriale, duke argumentuar se ai nuk merr në konsideratë karakteristikat gjeografike dhe nevojat e banorëve.
Sipas Berishës, ndryshimet janë pjesë e një politike që opozita e konsideron të lidhur me interesat elektorale të qeverisë.
“Kryefjala e sotme është seanca parlamentare e nesërme në të cilën në mënyrën më kriminale Edi Rama ekzekuton për hir të karriges së tij 15 bashki dhe redukton në këtë mënyrë në 41 njësi të qeverisjes vendore në mbarë vendin, në një vend me më malor sa i përket sipërfaqes së mbuluar nga malet se çdo vend tjetër në Europë. Kjo politikë shpopullimi në funksion të pushtetit të tij, kryekëput funksion elektoral, pa asnjë kriter është një akt shumë i rëndë. Është një armiqësi e hapur ndaj banorëve që kanë reaguar kundër këtij projekti. Nesër nga mbarë Shqipëria të gjithë bashkohen në protestë”, tha Berisha.
