TIRANE – Pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, Kryeministri Edi Rama dhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, morën pjesë në një deklaratë për shtyp.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kanë kaluar një provim të rëndësishëm por ai që i pret është akoma më i vështirë se kjo arritje.

Kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës dhe kryetarit të saj Lulzim Basha, që të jenë të bashkuar në këtë qëllim për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Të mos eksportojnë baltën e luftës tonë të brendshme politike, por ta lënë mënjanë mllefin kur flasin në gjuhë të huaj. Ftoj Bashën të bëhemi një skuadër kombëtare me fanellën kuqezi, dhe t’u kërkojmë të gjithë atyre që na vizitojnë në Shqipëri respekt për këtë vend,” tha Rama.

“Jemi përgatitur për të dëgjuar edhe çudira në vijim, se loja politike nuk është ndonjë gjë e vështirë për t’u kuptuar. Por këto janë problematika krejt të natyrshme që do i trajtojmë me qetësi, vendosmërinë e argumentave dhe dëftesa që kemi në dorë nga dje na e bën më të lehtë këtë punë jo të lehtë. Por sot i lutem, jo si kryeministër, por si shqiptar, si qytetar edhe si koleg, përfaqësuesve të opozitës që të mos bashkëpunojnë me faktor të jashtëm politik që për interesa të brendshme do ta pengojë Shqipërinë në këtë proces. Të mos eksportojnë baltën e luftës tonë të brendshme politike, por ta lënë mënjanë mllefin kur flasin në gjuhë të huaj. Ftoj Bashën të bëhemi një skuadër kombëtare me fanellën kuqezi, dhe t’u kërkojmë të gjithë atyre që na vizitojnë në Shqipëri respekt për këtë vend. Nuk kam fituar unë e PS dje, ka fituar e gjithë Shqipëria, e dimë të gjithë që shqiptarët, të majtë apo të djathtë, nuk kanë mes tyre asnjë ndasi,”u shpreh kryeministri.

“Në mbyllje dua të prek dhe aspektin politik, jo të gjithë e shohin me entuziasëm këtë arritje të Shqipërisë, dhe dëftesa me shumë peshë e kryerjes së detyrave nuk u mjafton atyre që duan të fusin bishta subjektive. Ka forca që as nuk e duan zgjerimin e as përparimin e rajonit drejt anëtarësimit,” u shpreh ai.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb