BERAT-  Partia Socialiste “de facto” i ka ndezur motorrët e fushatës elektorale. “BalkanWeb” mëson se kryeministri, Edi Rama i ka shpërndarë qysh dje në terren ministrat që njëherazi janë edhe koordinatorë të PS-së në qarqe.

Konkretisht takimet në bazë i ka filluar Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili njëherazi është edhe i deleguar i PS në Qarkun e Beratit. I shoqëruar dhe nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, ata dje kanë nisur punën në rrethe duke zhvilluar takime elektorale në Kuçovë, Perondi dhe Kozarë.

Felaj dhe Klosi kanë takuar banorë dhe anëtarë të PS-së në këto zona duke diskutuar për fushatën elektorale dhe ndarë detyrat para zgjedhjeve.

Por me sa duket zhvillimet e fundit në kabinetin qeveritar kanë bërë që ministri Klosi të mos e ketë mendjen në takim, pasi gjithë kohës është fotografuar me celular në dorë, me siguri duke lexuar lajmet për shkarkimin e kolegut të tij Tahiri por edhe lajmet për të gjithë ministrat, përfshi edhe atë vetë, që janë të deleguar në qarqe.

Sqarojmë se Blendi Klosi është koordinator i PS në Qarkun Berat ndaj dhe përflitet si një nga 9 ministrat që do shkarkohen nga kabineti qeveritar me argumentin për t’iu kushtuar plotësisht fushatës elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb