Kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Erl Muarti i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, foli për sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator dhe qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare dhe nga kryeministri Edi Rama.

Murati e quajti sulmin e së dielës, ku mbeti i vdekur efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si akt terrorist.

Në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Rama, ai tha se ka primare karrierën e tij politike dhe se qëndrimi i tij nuk është për shqiptarët e Kosovës apo për serbët, por për ndërkombëtarët, ndërsa shtoi se kryeministri mund të arrijë edhe të sakrifikojë çështjen kombëtare.

“Më bëri përshtypje reagimi i Ramës fill pas ngjarjes së 24 shatorit, pra ishte hezitues. Pati dhe një reagim nga shqiptarët e Kosovës që kërkuan që ai të mbante një qëndrim. Pritej një rreshtim pro çështjes shqiptare, jo vetëm se jemi një gjak dhe popull, por edhe se ishte një akt terrorist. Qeveria jonë reagoi në mënyrë të ftohtë dhe hezituese. Ka një lloj hezitimi dhe në kancelaritë evropiane për të mos mërzitur Serbinë dhe Vuçiçin. Dialogu mes Kurtit dhe Vuçiç duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve, por në këtë rast kemi një akt terrorist.

Ne si Shqipëri na takon të bëjmë rolin e Guterres, apo të rreshtohemi. Për mua duhet të rreshtohemi. Nuk ka pse kompleksohet Shqipëria që të mbrojë çështjen e Kosovës, po Rusia nga ana tjetër pse flet? Ajo po del hapur në krahë të Serbisë. Minimumi që duhet të bëj Rama është të komunikojë me Kurtin, të paktën zyrtarisht nuk dimë gjë që ta kenë bërë. Që ka një problem mes dy qeverive, shqiptare dhe asaj kosovare kjo dihet. Ne na intereson që të ketë një qëndrim të unifikuar për çështjen kombëtare.

Rama nuk i ka fshehur idetë e tij, edhe pse nuk është përqafuar nga Kosova. Pra për shkëmbimin e territorit. Rama ka si primare karrierën e tij politike dhe kur flet për çështjen e Kosovës nuk u flet shqiptarëve apo serbëve, por ndërkombëtarëve. Besoj se edhe këtë herë bëri të njëjtën gjë. Në kuadër të interesit personal, ai sakrifikon çështjen kombëtare. Madje nuk e ka problem të hyjë në debate me Kosovën”, u shpreh Murati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb