Protesta përpara Kryeministrisë është shoqëruar me fjalime me tone të ashpra dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të ekzekutivit Edi Rama, pas shpalljes së verdiktit të Gjykatës Speciale të Hagës kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalës së mbajtur përpara godinës së qeverisë, një nga protestuesit nxori në pah paanshmërinë e deformuar të drejtësisë ndërkombëtare, e cila kursen udhëheqjen e Beogradit dhe dënon mbrojtësit e kombit. “Nuk janë dënuar thjesht 4 pjesëtarë të UÇK-së, por çdo shqiptar. Nga rrënjët më të thella të historisë toka jonë, populli ynë, është luftuar vazhdimisht edhe pse ne asnjëherë nuk kemi sulmuar asnjë shtet tjetër! Por ne gjithmonë kemi qenë të sulmuarit dhe fatkeqësisht, në vend të dënohej presidenti serb, ish-shërbëtori i Millosheviçit, dënohen njerëzit që vendosën jetën e tyre për të mbrojtur interesat e kombit në luftën më të drejtë të këtij populli!”, deklaroi ai.
Më tej, fjalimi vuri theksin te rreziku i harresës historike dhe dështimi i Tiranës zyrtare për të ndërtuar një front të përbashkët ndërshtetëror me Prishtinën, duke artikuluar rritjen e ndërgjegjësimit kombëtar përballë indiferencës ndërkombëtare. “Kjo është ngjarje që na thërret se lufta nuk ka shkuar larg, ka pak vite që ka ndodhur dhe nuk duhet ta harrojmë sepse nëse harrojmë historinë ajo përsëritet! Kryeministrin tonë e kemi parë me përplasjet që ka pasur me qeveritarët e Republikës së Kosovës! Ne si popull kemi mësuar se nga vështirësitë ngrihemi më të fortë dhe tashmë kërkesa për Shqipëri Etnike, kur Europa nuk pyet për kombin tonë, është më e madhe se kurrë!”, nënvizoi protestuesi.
