Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Bashkimin Europian për qasjen ndaj Ukrainës dhe gjetjes së një zgjidhjeje për konfliktin ushtarak me Rusinë. Ai theksoi se komuniteti evropian ka gabuar duke lënë diplomacinë në duart e të tjerëve, dhe pse vlerësoi mbështetjen ushtarake të tyre për Ukrainën. Rama nënvizoi se Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi, ndaj do duhet të ketë kanale bisedimi edhe me Moskën.
Më tej, kreu i qeverisë nënvizoi se nuk duhet t’u takojë vetëm fuqive të tjera ndërkombëtare të negociojnë me Moskën, duke kërkuar që Europa të kuptojë gabimin që, sipas tij, ka bërë në këtë drejtim.
“Nuk duhet t’u takojë amerikanëve, kinezëve apo indianëve të bisedojnë me Rusinë. I takon Europës të kuptojë gabimin që ka bërë. Unë ndihem i trazuar që Europa e ka mbështetur te armët dhe jo te diplomacia. Unë përfaqësoj një vend me peshë të caktuar, nuk mund t’u jap leksione të mëdhenjve”, deklaroi kryeministri.
Rama kritikoi gjithashtu delegimin e diplomacisë europiane te presidenti amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se kjo qasje mund të ketë një kosto në rritje për kontinentin nëse nuk ndryshon.
“Europa ia ka nënkontraktuar diplomacinë e saj Donald Trumpit. Ky është rezultati. Europa duhet të kuptojë se ky gabim ka një çmim dhe do të bëhet më i lartë nëse Europa nuk flet me rusët, ndërkohë që mbështet Ukrainën”, u shpreh ai.
“Pyetja nuk është se kujt mund t’i besojmë. Pyetja është se çfarë është në interesin tonë më të mirë si komunitet evropian. Unë besoj se është bërë një gabim shumë i madh që diplomacia iu është lënë në dorë, iu është jashtë kontraktuar të tjerëve dhe ka një përqëndrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi me Rusinë. Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi. Do të vazhdojë të qëndrojë aty. Dhe e ardhmja e kontinentit është një e ardhme e përbashkët për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe ndërkohë që mbështesim gjatë tërë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë.
Thjesht po them që nuk duhet të flasim, nuk duhet të tregojmë me gisht kur gishti drejtohet nga Hëna. Çështja është që Europa e ka jashtë kontraktuar diplomacinë e saj tek Donald Trump dhe ky është rezultati. Kështu që ajo çka duhet të bëjë Europa është të kuptojë se ky gabim ka një çmim dhe ky çmim do të bëhet gjithmonë e më i lartë e i kushtueshëm nëqoftëse Europa nuk sprapset për të folur me Rusinë, ndërkohë që mbështet Ukrainë sepse ky është cikël i historisë ku Europa ka qenë e jashtëzakonshme dhe ka bërë atë çka duhet bërë. Pra, për të mos lënë agresionin që të imponoje vullnetin e vet mizor në Ukrainë”, tha Rama.
