Kryeministri Edi Rama, turin e falënderimeve e ka ndalur sot në Selenicë të Vlorës ku vlerësoi ata qytetarë që nuk pranuan të votonin, duke refuzuar që t’ja jepnin votën aleancës Berisha-Meta.

“Ata (demokratët) që nuk dolën në votime bënë diçka të mençur Ju bëtë një hap të mençur. Disa duke votuar kandidatët tanë dhe një pjesë tjetër duke mos dalë në votime. Mosdalja në votim e një pjesë te tyre është një kontribut më i rëndësishëm që ata kanë dhënë për të ardhmen e vendit tonë, Se nuk pranuan që të ndyjnë dorën duke shkuar në votim për ta vënë kryqin e votës së tyre te një bashkim hijes së të shkuarës, që janë aty për të tërhequr Shqipërinë veç pas Ata dështuan dhe do të vazhdojnë të dështojnë se ne do të shkojmë vetëm para.”, tha Rama.

Kreu i qeverisë e nisi fjalimin e tij me një ndjesë për banorët e Selenicës, që nuk mund të ishte në një takim përmbyllës për fushatën.

“Ju kërkoj ndjesë në pamundësinë për të qenë këtu me ju ditët që erdhët në Vlorë, pasi bëri një ngatërrese partia Vullneti, e të gjithë. S’mund ta jem këtu i pranishëm. Siç ju premtova, se pas fitores do të ishte këtu. Kryetari aktual i bashkisë drejtoi bashkinë e Selenicës me kushte jo të lehta, administrative dhe financiare. Pavarësisht se nevojat këtu janë të mëdha, dhe mbështetja jonë sado e madhe, ishte e fokusuar kryesisht te akset kryesore. Pëllumbi bëri më të mirën dhe dua t’ja kalojë fjalën për t’ju përshëndetur. Ai ka lënë një model që shpresoj që Nertili ta çoj përpara duke mos harruar gjithçka të mirë që është bërë. Akoma më mirë dhe akoma më shumë duhet bërë.”, tha Rama.

Bashkia e Selenicës do të ketë mbështetjen e qeverisë. “Dua t’ju falënderoj edhe për prezencën. Kam besim se kjo zonë është shumë potenciale. Jam i bindur se është një luginë e cila në vitet ardhme do kthehet në një destinacion turistik. Do të jetë një zonë komplementare në zonën e bregut. Ne do mbështesim bashkinë e Selenicës’, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb