TIRANË- Në ditën e dytë të ministerialit kundër ekstremizmit që po mbahet në Tiranë, kryeministri Edi Rama është ndalur tek ngjarja në Kumanovë, ku disa persona mbetën të vrarë si pasojë e përplasjes me armë mes një grupi të armatosur dhe policisë maqedonase. Kreu i qeverisë shqiptare ka lëshuar mesazhe të qarta ndaj qeverisë maqedonase, duke u shprehur se ky vend nuk do mund të jetë pjesë e NATO-s pa garantuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Rama tha se problematika e “terrorizmit” nuk duhet të ngatërrohet me etninë dhe me problematikat që vijnë nga mungesa e zbatimit të parimeve demokratike.

“Për Maqedoninë ne kemi mbajtur një qëndrim të qartë dhe mbështetës, ndaj të cilës kemi qenë të detyruar që edhe në samitin e Uellsit të kërkojmë respektimin deri në fund të Marrëveshjes së Ohrit. Duke u ndalur në tragjedinë e Kumanovës, do thoja se fatkeqësisht fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë në një përpjekje të rrezikshme, për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike, dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e rëndë për ne por edhe për Maqedoninë. Shqiptarët kanë qenë dhe janë një faktor i pazëvendësueshme shtetformues dhe me rëndësinë për integrimin e Maqedonisë. Asgjë më e rrezikshme nuk mund të na ndodhë të gjithëve ne në këtë betejë të përbashkët kundër terrorizmit, sesa trajtimi çështjeve që nuk kanë të bëjnë me të, por janë shprehje të problematikës së ngarkuar të degradimit të demokracisë. Është e patolerushme kjo përzierje e terrorizmit me këtë problematike. Nuk duhet treguar mungesë transparence dhe drejtësie.

Shqipëria do një Maqedoni të qëndrueshme, por jo të pajetueshme. Duhet një Maqedoni e përshtatshme për të gjithë, por ajo nuk mund të bëjë pjesë në NATO pa garantuar të drejta e mundësi për të gjithë. Maqedonia s’mund të jetë në NATO pa garantuar në frymë dhe në gërmë Marrëveshjen e Ohrit”, tha Rama.

Në këtë takim marrim pjesë ministrat e Brendshëm të rajonit dhe në fokus të bisedimeve janë përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit.

RAMA: MBËSHTESIM INTEGRIMIN E KOSOVËS NË STRUKTURAT EURO-ATLANTIKE
“Shqipëria në samitin e NATO-s në Wells e ka mbështetur nevojën për të mbështetur në procesin e integrimit euro-atlantik të të gjitha vendeve të Ballkanit. Edhe Kosovën ne e shohim si pjesë të pandarë të këtij procesi, dhe si janë hapësirë që nuk duhet ta lëmë të zbrazet nga aspiratat e forta në funksion të paqes, bashkëpunimit rajonal, dhe betejës së përbashkët kundër terrorizmit. Këtu vlen edhe thirrja për bashkimin në BE, për t’iu dhënë mundësinë qytetarëve të Kosovës të mos ndihen të veçuar, pasi janë të vetmit në rajon që duhet të vazhdojnë të aplikojnë për viza”, tha Rama.

EKSTREMIZMI, RAMA: SFIDË GLOBALE, ZGJIDHET ME BASHKËPUNIM RAJONAL
Kryeministri Rama tha se paqja në Ballkan është fryt i partnerëve SHBA-BE duke e vënë theksin në nevojën për të luftuar terrorizmin të gjithë bashkë.  Rama tha se ekstremizmi është një sfidë rajonale e globale.

“Paqja në Ballkan, fryt i partnerëve SHBA-BE. E shohim në jetën e përditshme se sa shumë kjo paqe është e kërcënuar nga kompleksiteti i botës ku jetojmë, nga kërcënimet që vijnë prej konflikteve që vazhdojnë pranë kufijve të Evropës, nga dhuna e terrorizmi që janë faktor shumë shqetësues për shoqëritë tona. Në një botë ku çdo gjë nuk zhvillohet larg nesh. Bëhet fjalë për një sfidë që nuk është lokale, por rajonale dhe globale”, tha kryeministri.

Ai tha se lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit është pjesë me rëndësi e aspiratave për integrimin në BE. “Në një studim të observatorit ballkanik të vitit 2003 thuhet se vendet e Ballkanit janë më pranë me BE-në se me vetveten. Ky konstatim ka vlerë sot e gjithë ditën. E vërteta është se jemi të gjithë më pranë me Brukselin se me njëri-tjetrin. Ky është problemi ynë i përbashkët, që zgjidhet me bashkëpunimin rajonal që ka nisur në 2003 me axhendën e Selanikut. Pakti i stabilitetit shërbeu si një nxitës për ta tërhequr rajonin kundër dhunës”, u shpreh Rama.

Kryeministri e quajti kthesë historike procesin e Berlinit si konfirmim i gatishmërisë së KE-së për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit në BE.

“Ne besojmë shumë se vitin e shkuar ka ndodhur një kthesë historike me procesin e Berlinit, ku u vendos një gur themeli si konfirmim i gatishmërisë jo thjesht të Gjermanisë por të Komisionit Europian në përgjithësi për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit në BE. Në shtator të 2014, presidenti amerikan, Obama u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të bëjnë shumë më tepër përpjekje për të trajtuar ekstremizmin e dhunshëm. Pavarësisht se Ballkani nuk u citua, ne e dimë shumë mirë se kur flasim për rajone ku ekstremizmi i dhunshëm përbën kërcënim, një nga këto rajone është edhe i yni. Shpresoj që ky takim të përcjell vendosmërinë tonë jo vetëm për të mposhtur terrorizmin kur na shfaqet ballë për ballë, por edhe ideologjinë dhe frymën. Ne jemi të bindur se kjo nuk është një përpjekje thjesht e jona, apo e cilido prej vendeve, por është përpjekje e të gjithëve së bashku”, deklaroi kreu i qeverisë.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb