NGA MARSELA KARAPANCO*

TIRANË- Teksa kryesocialisti Edi Rama ndodhet në SHBA për një vizitë jozyrtare, aleati i tij, Ilir Meta ka thirrur në kryesinë e kuvendit disa prej ministrave të tij. I pari që ka mbërritur në zyrën e kreut të kuvendit, ka qene ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, pas tij ministrja e Integrimit Klajda Gjosha dhe ministri i drejtësisë Ylli Manjani.

Por listës se ministrave i është bashkuar edhe ish-ministri i drejtësisë Nasip Naço, që ka qenë i fundit që është takuar me kreun e kuvendit Ilir Meta. I pyetur në lidhje me ndryshime të mundshme në qeveri, ministri Manjani tha për mediat se periodiciteti i takimeve me kreun e LSI-së, nuk përbën lajm, duke mohuar që në kabinetin qeveritar të ketë impulse të reja.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi dhe përfshirja në radhët e ekspertëve të nivelit të lartë të një figure të njohur politike si Ilir Rusmajli, Manjani sqaroi se “Rusmaili është një ndër konstitucionalistët më të mirë që ka vendi sot, në kuptimin e burimeve njerëzore, të trajnimeve dhe të eksperiencës në punë. Ai këtu nuk përfaqëson ministrin e Drejtësisë, në kuptimin politik, por përfaqëson veten e tij si ekspert. Ministri i Drejtësisë e ka propozuar për të kontribuar në hartimin e Kushtetutës dhe të amendamenteve kushtetuese, pas daljes së opinionit të Venecias”.

Manjani dha një përgjigje edhe në lidhje me vërejtjet e Komisionit të Venecias për praninë e ministrit të drejtësisë në disa institucione. “Ajo që rekomandon Komisioni i Venecias është fare e qartë, konsensus politik për të ndërtuar një reformë gjithëpërfshirëse, për të ndërtuar një Kushtetutë minimaliste dhe të thjeshtuar. Kjo është ajo që thotë Venecia dhe për këtë mendoj se është momenti për të çelur dialogun politik”, u shpreh ministri, ndërsa shtoi se “kjo nuk është më një çështje ekspertësh”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb