Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi ka dalë në një deklaratë urgjente për mediat nga selia blu, ku ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Këlliçi deklaroi se qytetarët, nga jugu në veri të vendit, janë ngritur në protestë duke kërkuar largimin e tij, ndërsa theksoi se, sipas tij, Rama nuk ka më asnjë rrugë tjetër përveç dorëheqjes.
“Edi Rama kërkon gjak për të shpëtuar pushtetin e tij! Plumbat e gomës s’do ta shpëtojnë nga revolta e rinisë”, u shpreh Këlliçi duke theksuar se kreu i qeverisë e sheh, e kupton mjaft mirë, se rrugë tjetër veç dorëheqjes nuk ka. “Rinia nuk tërhiqet, diaspora i ka ardhur në ndihmë, e gjithë Shqipëria, nga jugu në veri, është ngritur në këmbë duke kërkuar fundin e tij; për të ndalur skenarin e tij makabër, të atij që pas vetes, e do tokë të djegur këtë vend, e do të djegur Shqipërinë”, shtoi ai.
Deklarata
Edi Rama e sheh, e kupton mjaft mirë, se rrugë tjetër veç dorëheqjes nuk ka. Rinia nuk tërhiqet, diaspora i ka ardhur në ndihmë, e gjithë Shqipëria, nga jugu në veri, është ngritur në këmbë duke kërkuar fundin e tij; për të ndalur skenarin e tij makabër, të atij që pas vetes, e do tokë të djegur këtë vend, e do të djegur Shqipërinë!
Deklaratë urgjente për mediat:
Të nderuar qytetarë,
Siç po i ndiqni pamjet live të medias, të transmetuara tashmë botërisht, Edi Rama ka ndërsyer zagarët e policisë së narkoshtetit dhe të strukturave të krimit të organizuar, me një mjet të ri terrori kundër rinisë dhe diasporës: plumbat e gomës dhe municion kinetik.
Deri më tani, në pak orë protestë, raportohen mbi 10 të rinj të plagosur me plumba gome dhe mjete kinetike, të cilat policitë europiane i kanë ndaluar në përballjet me protestuesit pasi një fëmijë u gjymtua.
Amnesty International ka kërkuar ndalimin e tyre në të gjithë botën.
Nga ekspertiza ndërkombëtare provohet se mund të jenë vdekjekprurës apo të shkaktojnë dëme të pariparueshme.
I bëjmë thirrje Edi Ramës të ndalë menjëherë dhunën kundër rinisë dhe diasporës, të tërheqë narkopolicinë, jo vetëm nga gjymtimi i protestuesve, por edhe nga dëmtimi i Shqipërisë, dhe të japë menjëherë sot dorëheqjen.
Për dijeni të publikut, sipas Direktivave të OKB-së, është rreptësisht e ndaluar gjuajtja e plumbave të gomës në mënyrë të verbër apo të përgjithësuar ndaj një turme. Keto jane standarde dhe Udhëzime të vendosura nga OKB, dhe të reflektuara në Ligjin për Policinë e Shtetit.
Por, është e qartë tashmë se çfarë kërkon Edi Rama.
Edhe pse del si shpirt i keq çdo mëngjes duke derdhur lot krokodili mbi gërmadha, të cilat ua faturon studentëve, pa pikë përgjegjësie si kryeministër, kjo nuk i mjafton.
Ai kërkon një kurban, nuk ka rëndësi mes policëve apo protestuesve, me të vetmin qëllim, shtypjen përfundimtare të protestës studentore.
Ne këtë akt të fundit makabër duhet edhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë, përfaqësitë diplomatike, ambasadorët e akredituar, që për integrimin e vendit i kanë dhënë mbështetje pa kushte edhe regjimit të korruptuar të Edi Ramës, të prononcohen dhe aktivizohen në parandalimin e skenarit të zi, të atij që pas vetes, e do tokë të djegur këtë vend, e do të djegur Shqipërinë!
Edi Rama e sheh, e kupton mjaft mirë, se rrugë tjetër nuk ka. Rinia nuk tërhiqet, diaspora i ka ardhur në ndihmë, e gjithë Shqipëria, nga jugu në veri, është ngritur në këmbë duke kërkuar fundin e tij.
Gjaku që kërkon të derdhë, koka që kërkon të bëjë kurban, do t’i kthehet kundër. Ai do të jetë kurbani i fundit i marrëzisë dhe pisllëkut të narkoshtetit në themelet e një Shqipërie normale dhe të ripërtëritur, ku të rinjtë të ndërtojnë jetën, pa marrë valixhet e trishta të emigracionit.
Partia Demokratike e Shqipërisë është me ta, e pakursyer, me të gjitha mjetet demokratike, deri orën e fundit, minutën e fundit, deri në fund.
Rroftë rinia!
Rroftë Shqipëria!
Ju faleminderit.
